ATSH/ Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Silva Bino deklaroi se nga mbledhja e sotme e task-forcës se Shqipëria nuk është aq e rrezikuar si vende e tjera pasi nuk ka një linjë ajrore të drejtpërdrejtë me Kinën, nga koronavirusi.

Ajo tha se vendi ynë po adapton masat e sigurisë që janë marrë në kuadër të atyre që janë propozuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

“Kemi një përhapje brenda Kinës, në Japoni, në Tajlandë, në Vietnam kur për herë të parë është identifikuar që nuk ka pasur udhëtim në Kinë. Të gjitha rastet janë identifikuar qoftë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qoftë në Australi, qoftë në Francë janë të lidhura me udhëtimet me kinën dhe janë të lidhura me udhëtimet në qytetin e Wuhanit. Pra, jo vetëm me Kinën specifikisht, por me qytetin e Wuhanit. Ajo që dua të them është që situate klinike nga të dhënat e deri tashme në lidhje me këtë virus, nuk ngjason me sars, kemi një seri formash të lehta dhe kemi një vdekshmëri që shkon deri në 3%”, -u shpreh Bino.

Sipas saj, kjo është një emergjencë për shëndetin për Kinën, por jo për Shqipërinë. Bino theksoi se Shqipëria po përgatitet duke marrë të gjitha masat e nevojshme.