BLEONA METUSHI/ Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili, është kërcënuar me jetë nga persona të paidentifikuar, ndërsa Prokuroria e Tiranës ka nisur një hetim për zbardhjen e ngjarjes që ka ndodhur disa javë më parë.

Lajmi është konfirmuar nga burime të Prokurorisë, ndërsa drejtori i Burgjeve, Agim Ismaili, nuk ka reaguar. Mësohet se kërcënimi ndaj kreut të Burgjeve është bërë me anë të një mesazhi në telefon nga një numër ende i paidentifikuar, për të cilin oficerë të Policisë Gjyqësore janë duke hetuar.

Burime thonë gjithashtu se kërcënimi ka të bëjë me funksionin e Ismailit dhe kjo vjen pas zbatimit të regjimit “41 Bis”. Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili, ka rreth 1 vit në këtë detyrë, pasi zëvendësoi Stefan Çipën.

HETIMET

Ndërsa dy oficerë të Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Tiranës janë duke hetuar kallëzimin e kreut të Burgjeve, ata janë përqendruar në lokalizimin e pajisjes që ka dërguar mesazhet në numrin e Ismailit. Ata kanë marrë edhe pretendimet e këtij të fundit nëse ka dyshime për persona konkretë apo jo.

Është hera e tretë që Agim Ismaili ka marrë kërcënime, një herë ka ndodhur në muajin shkurt të këtij viti dhe më herët nga një i dënuar i në Burgun e Drenovës. Hetuesit kanë dyshime se edhe këtë herë kërcënimi vjen nga burgu, megjithatë, do të jenë hetimet që pritet të hedhin dritë.

AGIM ISMAILI

Kreu i Burgjeve, Agim Ismaili, ka qenë me herët drejtor i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Ai ka përvojë policore dhe ka punuar për disa vite edhe në Drejtorinë e Policisë Elektrike. Ismaili mori detyrën në krye të AKU-së në tetor të 2017, ku u prezantua nga Kryeministri Edi Rama.

Nga 6 shkurti i këtij viti, ai është krye të Burgjeve, detyrë në të cilën zëvendësoi Stefan Çipën, ky i fundit ndenji në këtë detyrë pak muaj. “41 BIS” Duke iu referuar ligjit, personave të konsideruar me rrezikshmëri të lartë, do t’u kufizohen takimet, ajrosja dhe përdorimi i telefonatave apo vlerave monetare.

Ligji parashikon se do të lejohet një takim familjar në muaj, i cili kryhet në intervale të rregullta kohore dhe në mjedise të caktuara, ku ndalohet hyrja e personave apo sendeve të tjera dhe që i nënshtrohen regjistrimit audio dhe video. Në raste të jashtëzakonshme, takimi me persona të ndryshëm nga familjarët, për personat e dënuar, kryhet me propozimin e drejtorit të institucionit dhe me miratimin e ministrit të Drejtësisë.

Ndërsa për personat e paraburgosur, takimi me persona të ndryshëm nga familjarët kryhet vetëm me miratimin e prokurorit. Krahas kësaj, kufizimi parashikon se në rastet e mospasjes së takimeve, do të lejohet një telefonatë në muaj, me kohëzgjatje maksimale 10 minuta, e cila do të regjistrohet.

PANORAMA