Juristi i njohur Sokol Hazizaj u shpreh dje i bindur se organizimi i zgjedhjeve lokale me 30 qershor është i pamundur. Gjatë një interviste, juristi Hazizaj renditi arsyet që sipas tij, nuk janë të lidhura me krizën politike por kushtetuese dhe ligjore. Në këtë kontekst, Hazizaj theksoi se argumenti më i fortë është se ligji elektoral nuk i ofron subjekteve politike vajtjen në procesin zgjedhor në datën. “Në situatën në të cilën ndodhemi ne para detyrimeve të Kodit Zgjedhor, mospërmbushjes së detyrimeve ligjore nga KQZ, mospërmbushja e detyrimeve ligjore dhe kushtetuese e subjekteve politike, pamundësia e përmbushjes së detyrimeve ligjore nga Presidenti për identifikimin dhe deklarimin e kësaj situate ku ndodhet Shqipëria e bëjnë të pamundur zgjedhjet administrative të datës 30 qershor. Kjo nuk është çështje politike më. Kjo është çështje kushtetuese dhe ligjore. Gjithë situata ku ndodhemi ne vendos përballë dëshirën për të përmbyllur politikën me pamundësinë kushtetuese për të realizuar këtë lloj dëshire. Ligji elektoral nuk i ofron subjekteve politike vajtjen në procesin zgjedhor në datën 30 qershor 2019”, deklaroi ai.

Më tej, Juristi shpreh bindje se zgjedhjet e përgjithshme të 2021 do të mbahen më shpejt, ndërsa jep edhe afate kohore se kur mund të zhvillohen ato. Sipas tij, zgjedhjet parlamentare mund të bëhen bashkë me zgjedhjet vendore ose pas katër muajsh nga zgjedhjet lokale. “Besoj që në zgjidhjet e mundshme ligjore do kemi tre hapa para. Do kemi shtyrjen e karakterit ligjor në kohë dhe hapësirë të zgjedhjeve të 30 qershorit. Do kemi përmbushjen e detyrimeve kushtetuese të Kuvendit dhe Presidentit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Misioni që do marrë Gjykata Kushtetuese për zhvendosjen e zëvendësimeve të fundit dhe së fundmi do kemi pastaj zgjedhjet politike që do jenë shumë afër, jo në 2021. Ose bashkë me zgjedhjet lokale ose pas katër muajsh nga zgjedhjet lokale. Nëse palët politike bien dakord, presidenti e shtyn menjëherë datën e zgjedhjeve”, nënvizoi juristi Sokol Hazizaj.