Qeveria miraton sot paketën e re fiskale me ulje të taksave për biznesin me xhiro nga 8 milionë lekë deri në 14 milionë lekë, për sektorin e agroturizmit, bujqësisë dhe ndërtimit.

Drejtori i Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave, Niko Lera, dje në një intervistë për mediat, tha se ndryshimet fiskale synojnë të nxisin deklarimin e xhiros së biznesit që do të paguajnë 5 për qind tatimfitim nga 15 për qind. Sipas Lerës, përfitojnë ulje të tatimfitimit 10 mijë biznese. Efektet e uljes së taksës llogariten në 400 milionë lekë. Drejtori i Politikave Fiskale u shpreh se tatimfitimi në 5 për qind do të ulet edhe për sektorin e agroturizmit dhe bujqësisë.

TATIMI MBI FITIMIN ULET NË 5%

“Në radhë të parë, u bë ndryshimi i pragut të taksimit nga 8 milionë në 14 milionë. Kjo do të thotë, që të gjithë tatimpaguesit që realizojnë qarkullim vjetor 14 milionë lekë, do të paguajnë 5 për qind tatim mbi fitimin. Ndërsa normën 15 për qind të tatimfitimit do ta paguajnë bizneset me qarkullim mbi 14 milionë lekë. Rreth 10,852 tatimpagues që quhen të biznesit të madh, që kanë qarkullim nga 8 milionë në 14 milionë lekë, përfitojnë ulje të tarifës. Pasi siç e theksova, nëse kanë paguar 15 për qind tatim mbi fitimin, nga viti 2019 do të paguajnë 5 për qind.

Pra, barra e tyre ulet direkt me 2 të treta. Kjo masë do të impaktojë edhe grupin e biznesit të vogël. Në këtë grup janë rreth 70-80 mijë biznese, ku 60 mijë janë me xhiro nga zero deri në 2 milionë, 10 mijë biznese janë me xhiro nga 2 deri në 5 milionë lekë dhe 18 mijë biznese janë me xhiro nga 5 milionë lekë deri në 8 milionë lekë. Janë 70 mijë tatimpagues që nuk paguajnë tatim, segmenti i bizneseve me xhiro nga 5 milionë deri në 8 milionë lekë paguan 5 për qind tatim –fitim.

Pragu 8 milionë lekë që përkthehet në një qarkullim ditor relativisht të ulët rreth 110 euro në ditë, i nxit bizneset që të qëndrojnë në këtë nivel. U mendua që ky prag të rritet, që pjesa dërmuese e operatorëve që janë në tregti apo shërbimi të mos ngurrojnë të deklarojnë qarkullimin dh tatimfitimin ta paguajnë 5 për qind. Pra, kjo masë do të ketë efekt pozitiv për bizneset e vogla”.

EFEKTET E ULJES TË TATIMFITIMIT

“Për rritjen e pragut ka një efekt vjetor. Nisur nga të dhënat 2016-2017, të ardhurat ulen rreth 400 milionë lekë, sepse nuk do të paguajnë më 15 për qind, por 5 për qind tatimfitim. Por ky efekt negativ do të kompensohet nga rritja e vetëdeklarimit të xhiros të biznesit të vogël, që janë në fashën e xhiros nga 5 deri në 8 milionë lekë, sepse këta, duke rritur xhiron, nuk do të paguajnë 15 për qind, por 5 për qind tatimfitim”.

AGROTURIZMI DHE BUJQËSIA

“Në ligjin për tatimin mbi të ardhurat kemi edhe dy nisma të reja, si në sektorin e agroturizmit, edhe sektorin e kooperimit në bujqësi për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor, ku pavarësisht nga niveli i qarkullimit që mund të realizojnë ,do të paguajnë 5 për qind tatim mbi fitimin. Synimi është të stimulohet krijimi i agrofermave dhe rritjen e eksporteve në bujqësi. Me paketën do të miratohen edhe ndryshimet në ligjin e TVSH-së, ku norma e tatimit për shërbimet që ofrohen në agrofermë të jetë 6 për qind. Pra, edhe ushqimi, edhe akomodimi apo edhe aktivitetet e tjera, të jenë me normë të reduktuar”.

PAKETA FISKALE

TAKSA VENDORE

Taksa e ndikimit në infrastrukturë. Përjashtohen nga pagesa e kësaj takse edhe investimet e personave juridikë “subjekt i certifikuar agroturizmi”, të kryera në fushën e agroturizmit, sipas përcaktimeve të bëra në Ligjin nr. 93/2015 ‘Për turizmin’ dhe kur veprimtaria e tyre është në përputhje me kriteret dhe rregullat e Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 22, datë 12.01.2018, “Për miratimin e kritereve për certifikimin e veprimtarisë së agroturizmit”.

TATIMI MBI VLERËN E SHTUAR

“Shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar 6 për qind, aplikohet për furnizimin e shërbimit të akomodimit, restorantit, me përjashtim të furnizimit të pijeve të ofruara brenda strukturave, në të cilat zhvillohet veprimtari pritëse e certifikuar si ‘agroturizëm’, sipas legjislacionit në fuqi në fushën e turizmit”.

TATIMI MBI FITIMIN

“Shkalla e tatimit mbi fitimin është: 15 % për tatimpaguesit me të ardhura gjithsej mbi 14.000.001 lekë në vit dhe 5 % për tatimpaguesit me të ardhura gjithsej deri në 14.000.000 lekë në vit. Për personat juridikë, të cilët zhvillojnë veprimtari ekonomike, sipas Ligjit Nr. 38/2012 “Për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor”, shkalla e tatimit mbi fitimin është 5 %. Për personat juridikë, të cilët bazuar në Ligjin nr. 93/2015 “Për Turizmin” dhe Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 22, datë 12.01.2018 “Për miratimin e kritereve për certifikimin e veprimtarisë së agroturizmit”, zhvillojnë veprimtari agroturistike të klasifikuar si “agroturizëm”, shkalla e tatimit mbi fitimin është 5 %. Norma e reduktuar e tatimit mbi fitimin 5 %, e parashikuar sipas këtij paragrafi, aplikohet për një periudhë 10- vjeçare për ato struktura, të cilat përfitojnë statusin “subjekt i certifikuar agroturizmi” deri në dhjetor 2021. Efektet e normës së reduktuar fillojnë në vitin pasardhës pas përfitimit të statusit “subjekt i certifikuar agroturizmi”.

TË ARDHURAT NGA LOJËRAT E FATIT

Të ardhurat nga lojërat e fatit tatohen me tarifën tatimore të përcaktuar në ligjet respektive të fushës: ligjit nr. 155/2015 “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe ligjit nr. 95/2013 “Për miratimin e marrëveshjes së licencës për lotarinë kombëtare ndërmjet Ministrisë së Financave, si autoritet i autorizuar dhe shoqërisë ‘Oesterreichische Lotterien’, GmbH, nëpërmjet shoqërisë ‘OLG Project’, sh.p.k”. Nga qarkullimi gjithsej i realizuar, zbritet fillimisht pjesa e fituesve të lojërave të fatit. Mbi të ardhurën bruto që ngelet, llogaritet tatimi mbi lojën e fatit. Diferenca që rezulton pasi zbritet tatimi i lojës së fatit, përbën të ardhurën e tatueshme të subjektit, nga e cila pasi zbriten shpenzimet e njohura, aplikohet tarifa tatimore përkatëse në fuqi.

Elbasani News