ATSH/ Kthimi i lumit Drin në një atraksion turistik, përmes organizimit të sporteve ujore është nisma më e fundit e bashkisë Lezhë, e cila ka promovuar në vijimësi aktivitetet sportive.

Pas kajakëve në lumin Drin të Lezhës ka mbërritur edhe “dragon boat”, një sport i ri që vjen në bashkëpunim të ngushtë me Canoa Club Sile në Itali.

Iniciativa vjen nga Drejtoria e Sporteve në Bashkinë e Lezhës, ndërkohë që tashmë është formuar edhe grupi prej 22 sportistësh që ka në dispozicion mjetet lundruese për realizimin e stërvitjes.

Në startin e këtij sporti të ri ishte i pranishëm edhe kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, i cili deklaroi se do të mbështesë maksimalisht “dragon boat”, ashtu si edhe sportet e tjera që në Lezhë po zhvillohen mirë dhe kanë nevojë për mbështetje.

Ndreu foli për rëndësinë që ka kthimi i lumit Drin në një atraksion turistik dhe imazh pozitiv për këtë sektor dhe sportet ujore janë një mundësi e mirë për të bashkërenduar të gjitha këto iniciativa të bashkisë.

“Bashkia e Lezhës ka në plan të mbështesë shumë sportet, pasi ka përpjekje pozitive që duhet të jetësohen dhe të kenë përkrahje financiare duke adresuar fonde përkatëse për ta bërë sportin sa më gjithëpërfshirës dhe të jetë sa më afër të rinjve. Tashmë po nxiten sporte si volejboll, boks, mundje, basketboll, judo dhe të tjerë që tashmë kanë traditë në Lezhë, por edhe projekte të reja si ky i sotmi që do të kenë mbështetjen tonë”, tha Ndreu.

Ne, shtoi ai, “duhet të mendojmë gjithashtu që lumin e Lezhës ta integrojmë edhe në funksion të turizmit krahas mundësisë për të nxitur sportin”. “Ndaj shumë shpejt me financim të bashkisë do të tjetërsohet e gjithë pamja e lumit dhe në bashkëpunim me GIZ do të hartojmë një projekt për bllokimin e kalimit nëpër lum të mbetjeve dhe brenda verës që vjen do të kemi gati projektin për ndërtimin e urave panoramike dhe elementë të tjerë që do ta bëjnë edhe më atraktiv lumin e Lezhës”, theksoi ai.

Drejtoresha e Sportit në bashkinë Lezhë, Mimoza Shtjefni, bëri të ditur se është siguruar mbështetja për zhvillimin e këtij sporti, si dhe janë përzgjedhur të rinjtë e parë që do të bëjnë pjesë në ekipin që do të nisë stërvitjen.

Sipas saj, “kjo është një mundësi për t’i dhënë lumit më shumë jetë dhe për të ndikuar pozitivisht në imazhin e Lezhës turistike”.

Shtjefni bëri të ditur se sfidat konsiderohen të tejkaluara edhe për faktin se, që në momentin e prezantimit të kësaj iniciative, që në fakt është e re edhe në Shqipëri, ka patur interesim maksimal të të rinjve.

Besojmë, tha ajo, se brenda vitit do të kemi arritur ndërtimin e plotë të skuadrës. Ajo shtoi se do të lobohet fort që ky lloj sporti të futet masivisht në shkolla, duke u bërë pjesë e Federatës së Sportit Shkollor dhe në fund të vitit shkollor të mund të bëhet edhe kampionati ndërmjet shkollave.