Standardizimi i prodhimeve, mundësi drejt tregjeve europiane
Standardizimi i prodhimeve, mundësi drejt tregjeve europiane

Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Sonila Qato ka vizituar sot një kompani të tregtimit të produkteve ushqimore, gjatë së cilës e vuri theksin te standardizimi dhe cilësia e prodhimeve si mundësi që prodhimet shqiptare të prekin tregun europian.

Ministrja Qato u shpreh se kompania që vizitoi kryen aktivitet në tregtimin e produkteve ushqimore, ku padyshim ato vendase zënë vendin kryesor.

“Sfida e kësaj kompanie por edhe shume të tjerave është krijimi i një rrjeti partnerësh të qëndrueshëm tregtimi në botë, ku produktet shqiptare të mund të ofrohen krahas të gjitha të tjerave”, tha ajo.

Po ashtu, Qato thekson se “vetëm përmes bashkëpunimit me fermerët vendas, standardizimit të ciklit të prodhimit bujqësor dhe blegtoral dhe garantimit të politikave mbështetëse për ta, prodhimet e shqiptarëve përmes sipërmarrjeve të tilla të suksesshme do gjejnë vendin e tyre në tregjet europiane e më gjerë”. /atsh