Studentët nga  Universiteti i Tiranës, Politikenik, Sportet janë mbledhur përpara Ministrisë së Arsimit për të protestuar mbi tarifat e studimit.

Për të dytën ditë ata kanë bojkotuar mësimin, duke kërkuar nga ministria plotësimin e kërkesave të tyre: përgjysmim të tarifave të shkollimit, rritje të buxhetit për universitetet dhe kushte më të mira në konvikte.

Ndërkohë studentët po mbajnë protesta edhe në Shkodër dhe Vlorë. Studentët e Tiranës i kanë kërkuar gjimnazistëve që të pezullojnë mësimin dhe t’i bashkohen protestës, pasi nesër, kur ata të jenë studentë tarifat e larta do të rëndojnë mbi familjet e tyre.

Nga ana tjetër, Këshilli i Ministrave shfuqizoi dje pikën 4 të vendimit mbi “Miratimin e kufirit maksimal të tarifës vjetore të shkollimit për studentët”. Vendimi për shfuqizimin e pikës 4 të kësaj VKM-je u mor pas propozimit të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Ministrja Nikolla informoi dje studentët për shfuqizimin e pikës 4 të VKM-së nr. 288, sipas të cilit studentët nuk do t’i nënshtrohen tarifës së shkollimit për provimet e prapambetura ndërsa është shprehur e gatshme për të bashkëpunuar dhe dialoguar me studentët për të plotësuar të gjitha kërkesat e tyre. Ajo ka kërkuar përfaqësim nga ana e studentëve për të gjetur zgjidhje për të gjitha problematikat dhe kërkesat, për të cilat studentë po vijojnë protestat. /a.g/