SULEJMAN PASHË VËRLACI (ELBASANI) FIGURË E NDRITUR KULTURORE KOMBËTAREç

Autor: Ahmet Memeti, marre nga revista kulturore “Albanon”.

Në shekullin XVIII, në skenën politike shqiptare dolën një seri figurash të spikatura politike e shoqërore, një pjesë e mirë me prejardhje nga dyer të mëdha fisnike shqiptare. Të cilat këto, disa më tradicionale që nga periudha paraosmane, ndërsa disa të tjera të fuqizuara në rangun e fisnikërisë së mirëfilltë, në shekujt e parë të periudhës osmane. Dy prej këtyre të fundit, janë Vërlacët dhe Biçakçinjtë e Elbasanit. Këto dyer fituan të drejtën e trashëgimit familjar të posteve, ofiqeve dhe të gradave të larta shtetërore, u fuqizuan ekonomikisht e politikisht dhe ushtruan pushtet, pothuajse autonom në njësi të ndryshme administrative brenda hapësirës etnike shqiptare. Kjo pozitë, ndikoi që ato jo vetëm të kenë të gjitha mundësitë materiale dhe ndërgjegjen e gatishmërinë për të marrë rolin e elitës në viset tona, por edhe të ngjiznin idetë lidhur me fatin historik të popullit shqiptar. Pikërisht nga këto dyer mori zanafillën dhe zhvillimi i kulturës shqiptare me ndikime lindore, i cili në shekullin e XVIII-të mori përmasat e një lëvizjeje kulturore të gjithanëshme dhe të shumëllojëshme. Fushat ku u shpreh me forcë dhe qartësi kontributi i fisnikërisë shqiptare në zhvillimet kulturore qëndron: së pari, ata kanë themeluar pjesën dërrmuese të institucioneve fetare, kulturore e arsimore, të cilat ishin vatra ku krijohej, përpunohej, njihej dhe kultivohej kultura shqiptare dhe prej nga përhapej ajo; së dyti, kanë qenë aktivë në jetën kulturore, duke u marrë me veprimtari letrare, shkencore e fetare; së treti, kanë përkrahur dhe kanë nxitur dijetarët, letrarët dhe artistët e tjerë.

Sulejman Vërlaci, lindi në njërën nga dyert e mëdha dhe mjaft të njohura të Elbasanit, një nga qytetet më të ndritura të Shqipërisë së shekullit të XVIII-të. I ati, Ahmet Pashë Elbasani, ishte nga personalitetet më të nderuara të asaj kohe, ndërsa i biri i ngjiti shkallët e karrierës në pozita shumë të larta me një dinamikë të shpejtë, duke u marrë përveç detyrave drejtuese dhe administrative, civile dhe ushtarake, edhe me veprimtari letrare-artistike. Në jetën e tij shumë aktive, ai u shqua, sidomos për bamirësi, si mecen e donator fisnik ndaj njerëzve të shquar të letërsisë e arteve, por edhe ndaj komuniteteve në nevojë.
Për herë të parë në dokumentet historike, emri i tij përmendet si, Sulejman beu i Ahmet Pashë Elbasanit, në letrën e nënkonsullit venecian të Shkodrës, Andrea Duoda, datë 23.06.1768, ku njoftohet se ushtria e bashkuar e shtatë pashallarëve shqiptarë do të vihej nën komandën e përgjithëshme të Bejlerbeut të Rumelisë, në luftën kundër Malit të Zi, ku mori pjesë edhe veziri i Bosnjes. Sulmi në Mal të Zi, filloi në fund të gushtit, ndërkohë që rezistenca malazeze ishte shumë e madhe dhe zgjati deri sa kushtet e motit u keqësuan. Bejlerbeu u detyrua të urdhëronte tërheqjen e ushtrisë, pa arritur nënshtrimin e Malit të Zi.
Ndërsa vazhdonin veprimet luftarake në Shqipëri dhe në Malin e Zi, sulltan Mustafai III, kishte shpallur luftën kundër Rusisë (1768 – 1774) dhe kishte urdhëruar grumbullimin e ushtarëve në të gjithë perandorinë. Një mijë ushtarë duhej të dërgonte në luftë pashai i Elbasanit, për të cilët do të financohej me njëqind qese asprash. (A.S.V. konsulli i Durrësit, shënim bashkëngjitur letrës, dt. 26.12.1768)
Për aftësitë dhe meritat e tij të veçanta, ai u ngarkua me detyra të ndryshme si drejtues (vali) në disa vilajete shqiptare e vende të tjerë. Mori gradën “mirimiran” në Rusçuk (sot Ruse në Bullgari), më vonë muhafiz i Zhishtovit. Me 20 mars 1772, u gradua vezir dhe u emërua vali i Janinës. Më vonë, emërohet fillimisht muhafiz i Hotinit dhe më tej, i Shkupit dhe Janinës. Në vitin 1776, iu bashkëngjit muhafizllëku i Inehbahtit (Lepantos) dhe një vit më pas, më 1777 edhe muhafizllëku i Ohrit.
Ndërsa vlonte anarkia feudale dhe lufta për pushtet, në mbarim të vitit 1779, në Elbasan u bë takimi i të gjithë pashallarëve shqiptarë-ku erdhi edhe qehajai i Bejlerbeut të Rumelisë-, të cilët do të merrnin pjesë në përcjelljen e Mehmet Pashë Çaushollit në Shkodër. Këto veprime sulltani i bënte në kuadrin e politikës së tij tradicionale për të dobësuar feudalët e fuqishëm, siç ishte Kara Mahmud Pashë Bushatlliu. Pjesëmarrës në këtë takim, ishte edhe Sulejman Pasha i Elbasanit. Por edhe kësaj here fitoi shkathtësia dhe zgjuarsia e pashait shkodran dhe taktika e Portës së Lartë, që njera palë të mos nënshtronte tjetrën: qehajai i vezirit të Rumelisë, pashai i Elbasanit dhe bejlerët e tjerë urdhëroheshin që sëbashku me forcat e tyre të ktheheshin nga ishin nisur. (Letër e Alessandro Albergeti, datë 22.04.1780).
Në vitin 1780, Sulejman Pasha, emërohet vali i Selanikut. Pas një ndërprerje të shkurtër në këtë detyrë, u riemërua sërish në vitin 1781, dhe njëkohësisht edhe muhafiz i Agribozit. Në të gjitha këto detyra dhe poste të larta, ai ka treguar aftësi, korrektesë dhe përkushtim.
Duke qenë dhëndër i Bushatllinjve të Shkodrës, kur atyre iu dha Sanxhaku i Ohrit, më 1784, Sulejman Pashë Vërlacit, iu dha Sanxhaku i Elbasanit. Ndërkohë, mbajti edhe titullin e vezirit.
Data e fundit që njohim nga dokumentet e arkivave venedikase është 01.03.1785, kur konsulli i Durrësit, A. Albergeti, shkruan në letrën e tij në ato kohë të turbullta për Mbledhjen e Kara Mahmudit në Zadrimë. Ai dyshon se mos në këtë mbledhje, Pashai i Shkodrës vendos të kalojë me ushtri kundër Pashës së Elbasanit, që guxoi të dëbojë gruan e vet, motrën e tij, pas 15 ditësh nga lindja e të birit, duke ia mbajtur foshnjën. Ky veprim u bë me nxitjen dhe mbështetjen e Kurt Pashës së Beratit, armikut të tij të vjetër. Sulmin mbi Elbasanin, konsulli e argumenton me fjalët “me siguri Mahmud Pasha është fyer shumë dhe për këtë është betuar të hakmerret”.
Në atë kohë, në Elbasan, si dhe në Berat , shtresat e larta të shoqërisë dhe banorët ishin ndarë në dy tarafe kundërshtare, njëri pro dhe tjetri kundër Bushatlliut. Gjendja arriti deri aty, sa Myftiu i Elbasanit e ftoi Kara Mahmudin të ndërhynte sa më pare, pasi nuk donte të kishte trazira në qytet para Bajramit (festës).
Dhe pas mbarimit të festimeve të Bajramit, Kara Mahmudi nuk vonoi shumë dhe sëbashku me vëllain e vet, Ahmet Pashën e Ohrit, u nisën me gjithë forcat e tyre kundër pashallëqeve të Elbasanit dhe Beratit. Gjatë rrugës, pasi rrethuan aleatin e Ahmet Kurt Pashës, Kajmak Bej Peqinin në kalanë e këtij qyteti, nuk pritën derisa ai të dorëzohej, por vazhduan marshimin drejt Elbasanit, duke lënë atje një pjesë të ushtrisë së tyre.
Sakaq, Sulejman Pashë Vërlacit, i kishte shkuar në ndihmë i biri i Ahmet Kurt Pashës, Mehmet Beu. Megjithëse Mehmet Beu bëri njëfarë rezistence, ai u thye shpejt dhe ia mbathi këmbëve për në Berat. Në këto rrethana, Sulejman Pasha, i braktisur dhe i pafuqishëm, u mor vesh me kunetërit dhe u pajtua sërish me ta.
Në vijim të synimeve për të marrë territoret e veta të mëparëshme në pjesën tjetër që ishte nën ndikimin e sundimtarit të Beratit, Kara Mahmudi u nis nga Elbasani, ditën e diel, më 21 gusht 1785 dhe mbërriti pas katër ditësh në Gostimë, ku vazhdoi me këmbëngulje luftimet, derisa vendosi rendin plotësisht.

Sulejman Pashë Vërlaci (Elbasani), e kaloi gjithë jetën e tij të vrullshme me plot ngjarje të vështira, por edhe të bukura, pothuaj gjatë gjithë shekullit të XVIII-të. Me luftra të ashpra, por edhe me ditë të mbushura me festime bamirësie dhe në një shoqëri me figura të ndritura të kombit shqiptar. Virtytet dhe bujarinë e tij, ia përcolli edhe tre bijve të vet: Sali Pasha, Mahmud Pasha dhe Mehmet Pasha.

Themelues dhe donator i institucioneve

Gjatë sundimit të Perandorisë Osmane, shteti nuk paraqiste interes për ndërtimin e institucioneve fetare, shkollore etj, përveç kalave. Ishte fisnikëria dhe njerëz të veçantë të saj, ata që me anën e donacioneve jepnin ndihmesën e tyre për ngritjen dhe funksionimin e institucioneve, si xhamitë, shkollat, bibliotekat etj.
Në shekullin XVIII, në Elbasan kishte rreth 19 shkolla fillore (mejtepe), kishte disa medrese, gjithashtu kishte edhe Daru’l-Hadis dhe Daru’l-Kur’an, si dhe Institut për të mësuar përmendësh Kuranin – Hivz. Në këto institucione, u krijua një shtresë intelektuale akademike e fetare e kohës. Po ashtu, u shkruan, kopjuan, komentuan dhe u krijuan vepra të shumta nga fusha e disiplina të ndryshme shkencore, fetare e letrare, ku vend shumë të rëndësishën zë letërsia “alamiada” (me shkronja arabe).

Një prej bamirësive të tij të shumta, ka ardhur deri në ditët tona. Ajo është Xhamia e Sulejman Pashë Vërlacit, që sot në Elbasan njihet si Xhamia e Pashës, rindërtuar nga e para që nga ajo kohë, vetëm para dy viteve. Ajo ndërtua rreth mesit të shekullit të XVIII-të në pjesën jugore të sheshit, në vendin e quajtur Tri Urat, sot shatërvani para Postës në Elbasan.
Nga pikëpamja konstruktive e ndërtimit, Xhamia e Pashës përfaqësonte tipin e faltores me sallë të mbuluar me çati druri dhe me tjegulla, me hajat përpara hyrjes. Minareja e saj i përkiste stilit klasik, elegante dhe shumë e bukur, veçanërisht gurët e punuar e gdhendur me shije mjaft të hollë. Pjesët e tjera përbërëse të xhamisë ishin tipike shqiptare dhe këtu qëndronte dhe origjinaliteti i mjeshtërve ndërtues vendës, si dhe porositësit e donatorit të saj, Sulejman Pashë Vërlacit. Duhet thënë, që ky fakt nuk u vlerësua në kohën e diktaturës nga komisioni për përfshirjen e saj në monumentet kulturore shqiptare me vlera të veçanta.
Të tre elementet përbërës të xhamisë: salla e lutjeve në qendër, hajati (portiku) përpara dhe minareja krijonin një tërësi të vetme, të harmonizuar, të kufizuar në dy krahët nga dy rrugë lagjeje që bashkohen para sheshit të xhamisë.
Salla e lutjeve ishte një hapësirë katrore me tavan druri, i cili mbështetej në katër muret me dritare plot dritë. Mbi te ngrihej çatia në formë faqeje piramide, pak e pjerrët, prej druri, mbuluar me tjegulla të kuqe.
Gurët e minares së xhamisë, janë marrë në zonën e Funarit, në një gurore nga më të vlerësuarat e kohës për bukurinë dhe cilësinë e lartë të tyre, që aktualisht nuk ekziston.
Gjatë treqind vjetëve nga ndërtimi i saj, kjo xhami ka rrezatuar bukuri dhe elegancë tek besimtarët dhe shikuesit e ndryshëm, vendas dhe të huaj. Ajo i mbijetoi obskurantizmit të pushtetit totalitar, megjithëse për një periudhë çerek shekullore u mbyll dhe u përdor si magazine dhe si ambjent i pushtetit lokal. Edhe pse maja e minares së saj u dëmtua gjatë periudhës komuniste, ajo nuk e humbi asnjëherë hijeshinë e vet.
Në muajin tetor 2016, përfundoi rindërtimi i plotë i Xhamisë së Pashës, nisur dhe realizuar në një kohë rekord. Projekti u realizua mbi themelet e mëparshme të xhamisë. Kështu, ajo është pajisur me dy minare elegante dhe në vend të çatisë me tjegulla të kuqe, është vendosur një kupolë metalike e madhe, e kuqërremtë dhe pesë të tjera më të vogla, mbi hyrjen me harkada dhe hajatin. Po kështu, është rritur kapaciteti për besimtarët si dhe komoditeti për ta si ndriçimi, hapësira, anekset etj.
Ndihmesë në ndërtimin e veprave të kultit në Elbasan, kanë dhënë edhe gratë. Ajshe Hatuna, ka ndërtuar një mesxhid, po kështu, e bija e Mustafa Efendiut , Rabije Hatuna, ka ndërtuar një xhami dhe një zavije.

Poet i parë i Elbasanit dhe aktivist i jetës kulturore e mecen i shquar.

Për Elbasanin, tashmë dihet thënia e udhëpërshkruesit të famshëm turk Evlia Çelebi, i cili theksonte se, që në shekullin XVII, vizitorët e ndryshëm e quanin “Vatër e poetëve”. Në gjysmën e dytë të shekullit XVIII, trojet shqiptare njohën një zhvillim të madh ekonomik e kulturor, krahasuar me shekujt pararendës. Kjo gjë u duk më shumë, sidomos pas formimit të Pashallëqeve të Mëdha shqiptare. Në atë kohë, Elbasani bënte pjesë në Pashallëkun e Shkodrës (1757 – 1831). Si rrjedhojë e një zhvillimi shumë të shpejtë material të trojeve shqiptare të shekullit XVII, erdhi edhe një zhvillim më intensive i jetës kulturore në vend. Ky zhvillim u shoqërua edhe me përdorimin më të shpeshtë të gjuhës shqipe në jetën letrare e fetare, shprehje e cilësisë së lartë të jetës kulturore shqiptare. Këtu bie në sy edhe roli vendimtar i fisnikërisë shqiptare , pesha e saj e madhe dhe përmasat më të gjera për të kundërshtuar realisht ndalimin e gjuhës shqipe nga ana e pushtuesit otoman.
Krahas pjesëmarrjes aktive në jetën politike dhe qeverisëse , fisnikëria shqiptare gjithmonë ka pasur rol të veçantë t’i sigurojë vendit paqen, rregullin, sigurinë dhe gjithashtu t’i mbajë të zgjuar në popull ndjenjën për vetadministrim dhe besimin në forcat e veta, duke luajtur rolin kryesor në zhvillimin kulturor të vendit, rezultat i drejtpërdrejtë i të cilit ishte kjo traditë e re e identifikimit dhe vetidentifikimit. Tashmë emri “Shqipëri” ishte përdorur në poezinë “alamida” nga Mustafa Libohova, që në mes të shekullit XVII, për të spikatur më qartë në fund të shekullit pauses, nga Hasan Zyko Kamberi pas 150 vjetësh.
I pari poet nga Elbasani, që përdori në poezitë e veta gjuhën shqipe me alfabet arab, ishte Sulejman Vërlaci. Ai ishte figura më e njohur, jo vetëm në qytetin e vet të lindjes, por në gjithë Shqipërinë e jashtë saj anekënd Rumelisë. Me shpirtin plot bujari që e karakterizonte, shtëpia e tij priste e përcillte gjithmonë miq të nderuar, poetë e artistë, dijetarë e klerikë nga të gjitha anët e trojeve shqiptare si dhe udhëtarë të huaj. Në shtëpinë e tij kuvendohej e diskutohej për letërsi e poezi, për dije e arkitekturë, për muzikë e arte të ndryshme, për çdo gjë të bukur e të dobishme. Ku mund të flitej më mirë e më sigurt se në shtëpine e tij për gjuhën shqipe të shkruar dhe për pastërtinë e gjuhës? Në shtëpinë e Sulejman Pashës, takoheshin poetët kombëtarë Ibrahim Nezimi e Sulejman Naibi etj; atje diskutohej e komentohej për divanët dhe strukturat e tyre, për sponsorizimet, shkrimet, kopjimet, koleksionimet si dhe shpërndarjen e tyre.
Në shtëpinë e Sulejman Vërlacit, ku dyert ishin gjithmonë hapur, gjetën mbrojtjen dhe përkrahjen pa rezerva, materiale dhe shpirtërore, poetët Nezim Frakulla e Sulejman Naibi.
Bujaria dhe shpirtbardhësia e Sulejman Vërlacit, kanë zënë vend edhe në këngët popullore që kanë mbrritur deri në ditët e sotme në gojën e qytetarëve të thjeshtë për njeriun e tyre të dashur:

Vezir Pasha i Elbasanit
Që jep turrën e florinit

Ka shumë të ngjarë, që po në shtëpinë e tij të ketë filluar Antologjia me poezitë e zgjedhura të Nezim Beratit, “Divani” që e përshkruan Ettore Rossi, ku ka ca vjersha të Sulejman Pashë Elbasanit, Sulejman Naibit, Ibrahim Elbasanit, Omer Sadedin Efendiut etj., siç do të shkruajë më vonë Dhimitër S. Shuteriqi, në “Tekstet Shqipe dhe Shkrimi i Shqipes, në Vitet 879-1800 ”.
Porse, për fat të keq, vetëm kaq të dhëna disponojmë për këtë vepër kaq të rëndësishme të kulturës sonë kombëtare. Askush nga studiuesit shqiptarë, institucionet kulturore e arsimore të vendit, nuk është marrë dhe hulumtuar në Itali, në arkivin e Rossit, për të ndriçuar “Divani-in”. Duke e lënë me një informacion të përciptë veprën në fjalë,tematikën e poezive, vlerat artistike të Sulejman Vërlacit, apo figurat, metrikën dhe ritmikëm e përdorur prej tij. etj?!…Gjithsesi, është e sigurtë,që Sulejman Vërlaci ishte kundërshtar/disident i regjimit ottoman, i cili ndalonte me këmbëngulje shkrimin e gjuhës shqipe të shkruhej si gjithë gjuhët e popujve të tjerë nën Perandorinë Osmane. Me përdorimin e gjuhës shqipe në poezinë e vet, Sulejman Vërlaci dëshmoi qartë për shprehjen e lartë të ndërgjegjësimit si intelektual shqiptar, për identitetin e tij etnik, gjuhësor dhe kulturor, por edhe si një këmbëngulje që printe thellimin, zgjerimin, përparimin dhe forcimin e mëtejshëm të këtij ndërgjegjësimi. Pra, ai ishte një bir i denjë i shekullit të tij, shekullit XVIII, që me të drejtë mund ta quajmë “Shekulli i Argjendtë” i letërsisë dhe kulturës shqiptare, që i shtroi rrugën “Shekullit të Artë” të Rilindjes Kombëtare, të shekullit XIX.

Literatura:

Archivo di Stato di Venezia 1762-1788 Consoli di Durazzo, Consoli di Scutari, Venezia

Aleksandër Meksi 2003 “ Arkitektura ndërtimore e kultit Islam” ne ENCILOPEDIA – Elbasani, f. 21, 643-644. Elbasan

Astrit Bishqemi 2016 Elbasani ndër vite për librin, f. 10. Tiranë

Blerina Suta 2003 “Letërsia” në Elbasani – Enciklopedi, f.336. Elbasan

D. Bebeti, G. Selita 2003 Këngë të vjetra popullore nga Isuf Myzyri dhe Shqipëria e Mesme f. 19-20. T.

Dhimitër S. Shuteriqi 2005 Tekstet shqipe dhe shkrimi i Shqipes në vitet 879-1800, f. 278 – 282, 352. T.

Dh. S. Shuteriqi 1976 Shkrimet shqipe ne vitet 1332 – 1850. f. 143. Tiranë

Evlia Çelebi 2016 Elbasani (sipas kronikanit osman Evlija Çelebi)

Gjergj Frasheri 2008 “Arkitektura e ndertimit te kultit islam” ne FJALORI ENCIKLOPEDIK SHQIPTAR Vol. I , f. 103 – 105. Tirane

Kristo Frashëri 2006 Identiteti kombëtar shqiptar dhe çështje të tjera, f. 193 – 210. T.

Kristo Frashëri 2009 “Letërsia shqipe me alfabete orientale” në PERLA 2009/4, f. 9 – 20. T.

Nehat Krasniqi 2017 Zhvillimi i kulturës shqiptare me ndikime orientale