Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve kujton tatimpaguesit që kryejnë qarkullimin e mallrave dhe të shërbimeve, për të cilat pagesat nuk kryhen nëpërmjet bankës, ose institucioneve financiare të parasë elektronike, të licencuara nga Banka e Shqipërisë, se janë të detyruar të instalojnë dhe të përdorin sistemin fiskal, nëpërmjet përdorimit të pajisjeve fiskale, për regjistrimin e pagesave me para në dorë dhe për lëshimin, në mënyrë të detyrueshme, të kuponit tatimor.

Po ashtu, Tatimet evidentojnë se është detyrim ligjor që, personat e tatueshëm, që shesin mallra për konsum final apo ofrojnë shërbime, në njësi të përhershme të hapura për publikun duhet të instalojnë pajisje fiskale dhe të lëshojnë kupona tatimorë, përfshirë këtu edhe personat e tatueshëm të cilët shesin libra të çdo lloji, revista, gazeta dhe artikuj të tjerë.

Kuponi tatimor lëshohet në dy kopje, një nga të cilat është kopje letër që i jepet klientit konsumator të mallrave apo shërbimeve të blera dhe tjetra i mbetet vetë personit të tatueshëm në shiritin e kontrollit të arkës regjistruese. Kuponi tatimor është dokumenti nëpërmjet të cilit realizohet transparenca e duhur në marrëdhëniet e çdo biznesi me klientët e tij.

Po ashtu, Tatimet theksojnë se personi i tatueshëm shitës me pakicë, subjekt i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar apo i Tatimit mbi Fitimin, është i detyruar përveç kuponit tatimor, të lëshojë një faturë tatimore me TVSH, kur vlera e çdo furnizimi të kryer për blerësin, pavarësisht nga statusi i këtij të fundit, është më e madhe se 40.000 lekë, përfshirë TVSH. /atsh