Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) informon tatimpaguesit mbi “vlerën e tatueshme të punimeve në ndërtimit dhe mënyrën e zbatimit të TVSH-së”.

Sipas DPT-së, TVSH-ja në ndërtim zbatohet kur një person i tatueshëm, shoqëri ndërtimi kryen punime ndërtimi të çdo lloji për punë private ose publike. Çdo muaj subjekti i tatueshëm, duhet të shënojë punimet e kryera nëpërmjet një raportimi analitik ku të tregojë të gjithë zërat e punimeve të kryera, materialet e përdorura në sasi e vlerë dhe çdo element tjetër punimesh të përfshirë në punimeve, përfshirë edhe tatimet apo taksat apo detyrime të tjera që llogariten dhe përfshihen në vlerën e tatueshme të punimeve të kryera, përveç TVSH-së.

Sipas ligjit fatura në ndërtim lëshohet çdo muaj. Bilanci mujor i bashkëngjitet detyrimisht fatura tatimore. TVSH-ja llogaritet dhe paguhet çdo muaj mbi vlerën e bilancit mujor të punimeve, e cila është edhe vlera e tatueshme mbi të cilën do të llogaritet TVSH-ja në masën 20%.

Raste të zbatimit te TVSH-së sipas llojit të veprimtarisë

Në rastin kur ndërtohet një objekt prej një personi të tatueshëm që ndërton sipas porosisë së një personi tjetër të tatueshëm, një objekt për qëllime të kryerjes së veprimtarisë ekonomike së tij, mund të ndeshemi me dy situata:

1. Objekti që do të ndërtohet do t’i shërbejë veprimtarisë ekonomike të përjashtuar të personit të tatueshëm;
2. Objekti që do të ndërtohet do t’i shërbejë veprimtarisë ekonomike të tatueshme të personit të tatueshëm.

Në rastin e parë, personi i tatueshëm ndërtues, lëshon faturën tatimore investitorit të objektit, për punimet e kryera për çdo muaj duke llogaritur dhe paguar TVSH, pasi ka zbritur TVSH-në që ka rënduar blerjet e kryera prej tij për këtë qëllim. Nga ana tjetër, personit të tatueshëm investitor të objektit, i cili do ta përdorë objektin e ndërtuar për veprimtarinë e tij të përjashtuar nga TVSH-ja, bazuar në rregullat e zbritshmërisë së TVSH- së, nuk i lind e drejta të zbresë TVSH-në e paguar personit të tatueshëm ndërtues, pasi ky investim do t’i shërbejë një veprimtarie të përjashtuar nga TVSH-ja.

Përsa i përket rastit të dytë, personi i tatueshëm ndërtues lëshon faturën tatimore personit të tatueshëm investitor të objektit, për punimet e kryera për çdo muaj duke llogaritur dhe paguar TVSH, pasi ka zbritur TVSH-në që ka rënduar blerjet e kryera prej tij për këtë qëllim.