Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) njofton se në çdo rast, kur tatimpaguesi aplikon për çregjistrim, komunikimi me Qendrën Kombëtare të Biznesit për detyrimet tatimore dhe deklaratat e padorëzuara bëhet në rrugë elektronike dhe në kohë reale, me qëllim lehtësimin e procedurave dhe shkurtimin e afateve.

Kjo në zbatim të nenit 45, të ligjit 9920, datë 19.05.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të marrëveshjes dypalëshe dhe protokollit elektronik të komunikimit ndërmjet Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Lehtësimi i procedurës së komunikimit me QKB është bërë edhe për identifikimin e tatimpaguesve, të cilët kanë detyrimin ligjor për dorëzimin e pasqyrave financiare vjetore/ bilancit. Edhe ky verifikim bëhet në kohë reale nga QKB-ja e cila i referohet sistemit tatimor sa herë që e gjykon të nevojshme.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve pohon se mbetet e angazhuar për të zbatuar politika që shkurtojnë kohën e ndërveprimit mes institucioneve, si dhe të garantojë saktësinë e të dhënave për gjendjen reale dhe detyrimet ligjore të tatimpaguesit. e.xh/ /a.g/ATSH