Kreu i grupit parlamentar të PS Taulant Balla është shprehur i bindur se Shqipëria do të nisë këtë vit bisedimet për anëtarësimin në BE. Gjatë një interviste televizive, ai deklaroi se tentativat e opozitës për të bllokuar ecurinë e proceseve janë të dështuara, duke shtuar se këtë vit do të fillojnë bisedimet. Balla deklaroi se një grup militantësh po tentojnë të nxjerrin keq Shqipërinë, duke publikuar video nga protestat e tyre të dhunshme. “Është rrethuar nga një grup militantësh të cilët u munduan t’i bëjnë keq Shqipërisë sepse pamjet e filmimet e asaj dite bëjnë xhiron e mediave të botës. Nëse Basha realisht mendon se mund të pengojë zhvillimin normal të Shqipërisë ecurinë e proceseve, sot është konfirmuar nga Hahn vlerësimi pozitiv në fund të muajit. Ajo që unë po them dhe që dua ta konfirmoj jo vetëm si kreu i grupit parlamentar të PS por edhe si çdo qytetar tjetër i këtij vendi, do apo s’do Lulzim Basha, bën apo s’bën përpjekje pozitive ky vit është viti i fillimit të bisedimeve. Për këtë jam shumë i sigurt.

Ditën që ky proces do të fillojë do të jem sërish me ju në studio. Të shtunën kanë ndodhur disa incidente që i bëjnë dëm Shqipërisë”, deklaroi Balla. Ai theksoi se nuk kishte ndodhur në 28 vite të kërcënohet ambasadori i një prej organizatave të krijuar mbi parimet e bashkëpunimit. “Ajo që ndodh nga ndonjë përfaqësues i opozitës është se nuk ka një deklaratë politike nga ndonjë institucion i këtyre partive. Në çdo rast normal, PD duhet të kishte mbledhur Këshillin Kombëtar, kryesinë nëse ka dhe të dënonte sulmin ndaj ambasadorit të OSBE. Jo vetëm që nuk ndodh kjo por nxjerrin përfaqësues të lartë që vijojnë të sulmojnë një ambasador. Këta ende nuk e kanë kuptuar se deklarata e zotit Borchardt ishte në të njëjtën linjë me deklaratën e liderëve të OSBE”, u shpreh Balla. Sipas tij, kjo protestë ishte shprehje dëshpëruese e degradimit të kësaj opozite. “Njerëzit e dhunës aty nuk janë hallexhinjtë shqiptarë, njerëz të thjeshtë. Ata janë njerëz dhe unë e përshëndes vendimin e djeshëm të gjykatës. Nxis institucionet e drejtësisë, e policisë të vijojnë hetimet. Pjesë e tyre janë të paguar për të bërë dhunë. Kjo skemë e turpshme financimi dhune ndaj institucioneve duhet hetuar dhe pagatorët e dhunës duhen ndëshkuar. Le të jetë pjesë e një procesi në vijim”, tha Balla.