Mazhoranca qeverisëse ka shprehur edhe njëherë gatishmërinë e saj për t’u ulur në tryezën e dialogut me opozitën, por përjashton çdo negociatë për reformën në drejtësi. Ka qenë kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili zbuloi ofertën e mazhorancës për opozitën. Nga qyteti i Belshit, ku ishte në një takim falënderues me qytetarët sa i takon rezultatit të zgjedhjeve të 30 qershorit, Balla i kujtoi opozitës se janë të hapur për bisedime, por jo në kurriz të zbatimit të reformës në drejtësi. “Ne jemi të gatshëm në çdo moment të dialogojmë dhe të diskutojmë me Partinë Demokratike rrugore, por pikë së pari me ata që kemi në Kuvend, pikërisht për sfidat e rëndësishme të vendit, por këtu nuk përfshihet asnjë lloj negociate për Reformën në Drejtësi”, deklaroi ai. Më tej, deputeti socialist kishte edhe një përgjigje për ata që mendojnë se zgjedhjet lokale mund të përsëriten, apo se Parlamentit mund t’i ndërpritet mandati për zgjedhje të parakohshme. Në këtë kontekst, Balla theksoi se zgjedhjet lokale mbaruan dhe se zgjedhjet e tjera do të jenë në vitin 2021. “Beteja jonë e radhës janë zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021, zgjedhje të tjera nuk ka më. Ata që dalin çdo natë në TV, nga presidenti që tashmë është një nga drejtuesit e opozitës në Shqipëri, apo kushdo tjetër duhet ta dinë që zgjedhjet vendore u përmbyllën në 30 Qershor. Ishte një ditë e rëndësishme ku fitoi Shqipëria e institucioneve, Shqipëria e zbatimit rigoroz të Kushtetutës, fitoi Shqipëria e angazhimit europian, përkundër Shqipërisë së dhunës dhe të molotovëve”, u shpreh ai. Ndërkohë, Balla ripërsëriti edhe një herë vendosmërinë e Partisë Socialiste se nuk do të heqë dorë nga shkarkimi i Presidentit Ilir Meta nga detyra. “Meta ka bërë një akt të rëndë i cili duhet hetuar dhe më pas nëse komisioni do të konkludojë që shkelja është e rëndë, sipas nenit 90 të Kushtetutës, do të shkarkohet dhe procesi do të certifikohet nga Gjykata e re Kushtetuese që në Shtator do të jetë gati për të ushtruar këtë detyrë të rëndësishme”, nënvizoi kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.