Qeveria nuk ka arritur të mbledhë të ardhurat e parashikuara nga taksa mbi vlerën e shtuar. Në një dalje publike për mediat, Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, pohoi se nuk janë plotësuar pritshmëritë e Administratës Tatimore për mbledhjen e të ardhurave nga TVSH. Gjithsesi, Tatimet po punojnë që në vitin e ardhshëm të jenë shlyer totalisht detyrimet e prapambetura të krijuara nga rimbursimi i TVSH-së. Për arritjen e këtij qëllimi, Ibrahimaj tregoi se DPT po punon intensivisht në përmirësimin e procesit të fiskalizimit përmes luftës ndaj informalitetit. Sipas saj, ndikim negativ në nivelin e të ardhurave kanë dhënë problemet në sektorin e energjisë, si dhe problemet me rritjen ekonomike.

“Ka pasur një mosrealizim të të ardhurave kryesisht nga TVSH. Ka edhe elementë të lidhur me situatën ekonomike të cilat kanë çuar në performancë të dobët të TVSH-së. Sektori i ndërtimit ka pasur një ecuri më të ngadalë sa i takon nivelit të të ardhurave dhe rritjes ekonomike. Pjesë e madhe e performancës së dobët të të ardhurave nga TVSH-ja vjen nga investimet”, u shpreh ajo.

Ibrahimaj njoftoi se për vitin 2021 nuk do të ketë më para që do të jepen për rimbursimin e TVSH, pasi pritet të zerohen të gjitha detyrimet e prapambetura. “Pjesa e prapambetur është në 70 % që i atribuohet TAP-it dhe sigurisht kanë krijuar këto debi. Synojmë që ta shlyejmë brenda qershorit 2021. Administrimi i centralizuar i borxhit duke e përqendruar mbledhjen e detyrimeve të prapambetura në tre rajone. Në vijim mbledhja e të ardhurave nuk do ketë prapambetje për sa i përket rimbursimit. Plani është që të kemi 2 miliardë lekë më shumë se viti i kaluar për rimbursimin e TVSH”, theksoi drejtoresha e Tatimeve.

Më tej Ibrahimaj sqaroi se mbledhja e plotë e të ardhurave do të realizohet vetëm nëpërmjet eliminimit të informalitetit në treg. Aksion i cili ka nisur prej muajsh dhe do vazhdojë të fokusohet më tepër në sektorin e ndërtimit dhe atë turizmit, ku informaliteti është më i pranishëm. “Do të ndjekim këto linja kryesore në Planin Operacional të këtij viti, me qëllim reduktimin e informalitetit dhe rritjen e nivelit të përmbushjes vullnetare tatimore. Planet sektoriale të orientuar nga analiza e riskut do të vijojnë më të fokusuara në sektorin e ndërtimit, hidrokarbureve, sektori i bar-restoranteve e turizmit dhe nëndeklarimi i pagave”, tha ajo.