Të drejtat e njeriut, Bashkimi Europian mbështetje reformave në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi
Të drejtat e njeriut, Bashkimi Europian mbështetje reformave në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi

Bashkimi Europian dhe Këshilli i Europës vazhdojnë të mbështesin reformat në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi në fushat e të drejtave të njeriut, demokracisë, dhe shtetit të së drejtës.

Vazhdimësia e programit të përbashkët “Mekanizmi Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë” u prezantua sot gjatë konferencës rajonale që u organizua në Shkup, Maqedonia e Veriut.

Nikola Dimitrov, ministër i Punëve të Jashtme në Maqedoninë e Veriut, mirëpriti vazhdimësinë e këtij programi që sipas tij, tregoi rezultate konkrete gjatë fazës së parë të zbatimit.

“Maqedonia e Veriut është një shembull i qartë në rajon, ne kemi demonstruar vullnet të fuqishëm politik për të ndërmarrë reformat e nevojshme në të katër fushat që mbulohen nga ky program dhe sjellë këtu mënyrën europiane të të jetuarit. Zbatimi i Programit të Instrumentit Horizontal është një mbështetje e madhe në këtë drejtim. Shteti ligjor, lufta kundër korrupsionit, antidiskriminimi dhe liria e shprehjes dhe liria e medies janë fusha kyçe që duhet të reformohen, – tha Dimitrov.

Për Verena Taylor, Drejtore e Zyrës së Drejtorisë së Përgjithshme të Programeve të Këshillit të Europës mesazhi kryesor i konferencës që mblodhi më shumë se 200 përfaqësues nga Shqipëria, Bosnjë dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Turqia, është që Ballkani Perëndimor dhe Turqia janë të rëndësishme për Evropën.

“Ju jeni të rëndësishëm për Europën, ndaj ne po kombinojmë instrumentet tona më të mira, për t’iu mbështetur në proceset reformuese”, – u shpreh ajo gjatë fjalës së hapjes.

Për më tepër, ajo theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së përfaqësuesve të shoqërisë civile, me të cilët Këshilli i Europës bashkëpunon me sukses. “Instrumenti Horizontal merret me shumë çështje të rëndësishme, duke kontribuar për respektimin e të drejtave të njeriut”, – tha Colin Wolfe, drejtues sektori për Bashkëpunimin Rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe Programet në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, Komisioni Europian.

“Njerëzit duhet të dinë se të drejtat e tyre mbrohen dhe është e rëndësishme që t’i mbajmë të rinjtë në rajon. Ata duhet të dinë se mund t’i përmbushin shpresat dhe ëndrrat në vendet e tyre. Së bashku mund të krijojmë një Europë që vendos fokusin tek vlerat tona, i mbron dhe garanton ato”, – tha në mbyllje Wolfe.

Faza e dytë e Programit, me një verë 41 milionë €, do të vazhdojë deri në vitin 2022 dhe do të zgjerojë fushat e kësaj iniciative duke përfshirë për herë të parë tema si liria e shprehjes dhe liria e medies.

Ndërkaq, faza e re e programit do të fokusohet në 4 fusha përfshirëse si: sigurimi i drejtësisë, lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe krimit ekonomik, promovimi i antidiskriminimit dhe mbrojtja e të drejtave të grupeve vulnerabël si dhe liria e shprehjes e liria e medies.

Vazhdimësia e këtij programi vjen pas suksesit të fazës së parë të iniciativës, që u zbatua përgjatë 2016 – 2019. Kjo iniciativë ka mundësuar një numër rezultatesh konkrete si ambiente më tolerante në shkolla, ligje dhe masa më efektive antikorrupsion, rritje e efikasitetit të sistemeve të drejtësisë, si dhe ka sjellë mundësi më të barabarta për grupet vulnerabël.  /atsh