Kryeministri Edi Rama theksoi sot se “njerëzit e akomoduar në hotele do të trajtohen si turistët kur vijnë, me të gjithë kujdesin, ata nuk janë turistë janë pacientë në këtë moment, janë të traumatizuar janë njerëz që kanë nevojë për një kujdes të veçantë”.

Në fjalën e tij në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë, kryeministri Rama tha se “për personat e vendosur në kampe dhe hotele duhet të bëhet përputhja me pikën e ardhjes me shtëpinë e tyre. Nëse këta persona janë persona që realisht kanë humbur shtëpinë apo kanë një shtëpi në rrezik këta persona duhet të qëndrojnë aty dhe trajtohen deri në fund me gjithë kujdesin e duhur”.

“Ndërsa personat që janë aty si rezultat i ankthit duhet të trajtohen edhe me psikologë. Ne kemi vendosur një numër psikologësh në dispozicion edhe për ta. Siç e thashë edhe dje edhe një angazhim në këtë fazë kritike edhe i gjithë ministrave për të ndjekur struktura të veçanta për të qenë aty të pranishëm në emër të qeverisë për të lehtësuar peshën e të ndjerit vetëm të njerëzve do të ndihmojë në këtë proces”,- nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “ajo që do të miratojmë sot dhe që lidhet me këtë aspekt është nevoja për të lidhur kontrata me këto struktura hoteliere , sepse është histori e njohur kjo dje në pjesën e dytë të mbledhjes edhe ministri i Diasporës, Pandeli Majko, si njeri që e ka kaluar një krizë humanitare e theksoi historinë e nevojës për të kornizuar të gjitha proceset dhe nga ana tjetër për të limituar edhe abuzimet që ndodhin vetvetiu që duhen margjinalizuar dhe nuk duhet të kalojnë shkallën e minimumit. Nuk duhet të lejojmë që të vijnë të na kërkojnë fatura të sjella në rrugë informale, por qoftë edhe formale në këtë proces, struktura hoteliere të cilat i kanë hapur dyert e tyre përpara, për zemrën e tyre.
Cilido që do të hyjë në këtë marrëdhënie për një qëndrim përtej 3-4-5 ditëve një, dy, tre javëve do të ketë kontratë të qarët reciproke”.

“Qeveria do t’iu detyrohet atyre mbulimin e shpenzimeve, në raport me nevojën për të mbajtur të gjitha stafet aty dhe në raport me nevojën që ne tu kërkojmë llogari. Ata nuk mund ti mbajnë njerëzit atje dhe tu japin shërbim gjysmak. Njerëzit do të trajtohen siç trajtohen turistët kur vijnë me të gjithë kujdesin, ata nuk janë turistë janë pacientë në këtë moment, janë të traumatizuar janë njerëz që kanë nevojë për një kujdes të veçantë, nuk mund tu kthehet fjala me inat apo me nervozizëm edhe sikur ta teprojnë edhe sikur të bëjnë diçka që një turist nuk mund ta bënte”, tha Rama duke shtuar se për këtë ne kemi nevojë për kontratë detyruese për palët.

Sipas tij, ata do të marrin përsipër shërbimin perfekt, ndërsa ne do të marrim përsipër detyrimin e shërbimit të tyre.

“Kemi folur edhe me Besën e Ogertën duhet menjëherë të plotësohet dhe shpresoj ta kem nesër listën e personave në nevojë për ilaçe që vuajnë nga sëmundjet kronike, në të gjitha këto struktura hoteliere. Të gjitha ilaçet për të sëmurët kronikë përsa kohë ata do të rrinë në hotele do të jepen falas 100%, ata nuk do kenë asnjë mungesë ilaçesh. Për të gjitha strukturat sipas një plani do të ketë mjekë dhe infermierë, nuk është e nevojshme të rrinë në hotel gjithë ditën por do të jenë në dispozicion, si pjesë e strukturës së Urgjencës Kombëtare dhe do të nisen në rast se ka urgjencë”, – theksoi Rama.

Kreu i qeverisë tha se “do të bëjnë edhe një punë ekstra kur mbarojnë punën e shtetit do të shkojnë atje. Duhet të garantojmë që të gjithë nxënësit që janë në këto hotele të kenë mësimin e vazhduar. Të garantohet transporti për nxënësit që duhet të lëvizin drejt shkollës nga Shëngjini në Thumanë për shembull. Të ketë mësues që t’i ndjekë pasdite me mësimet. Fëmijëve të vegjël t’i çohen lodra, një edukatore që të merren me ta, sepse nënat kanë nevojë për pak pushim”, tha Rama.