Tekstet falas, raport i ri i nxënësit me librin
Tekstet falas, raport i ri i nxënësit me librin

Duke prekur shpërndarjen e librave falas për nxënësit nga klasa e parë në të katërtën si dhe për të gjithë fëmijët e familjeve në nevojë, kryeministri Edi Rama foli për “komente fantastike” që ai vetë ka dëgjuar në lidhje me kthimin e librave në fund të vitit.

“Është po kaq e rëndësishme sa edhe shpërndarja e librave falas të shpjegohet përse i duam librat mbrapsht në fund të vitit. Kam dëgjuar komente fantastike, se po u stresojmë fëmijët që të mos hanë librat. Pse është stres për fëmijët që t’u thuhet se librat janë miqtë e tyre më të mirë dhe duhet t’i mbajnë me shumë kujdes. Fëmijët e kuptojnë këtë, por prindërit stresohen pasi i mundon ideja

që ato duhet të ruhen e nuk duhet të zhgarraviten. Zhgarravitja u duket liri dhe ruajtja diktaturë, kjo duhet kuptuar nuk është çështje buxheti”, tha kryeministri.

190 mijë fëmijë nga klasa e parë në të katërtën pajisen këtë vit me libra falas, sikundër edhe nxënësit deri në gjimnaz që vijnë nga të gjitha kategoritë e familjeve në nevojë.

“Vitin e ardhshëm do të jenë falas edhe për klasën e pestë, ndërsa  brenda mandatit do të jenë falas për të gjithë fëmijët nga e para në të nëntën”, tha Rama duke shtuar se kthimi në fund të vitit nuk është çështje lekësh apo buxheti.

“Suedia që ka modelin më të mirë në botë i jep librat falas dhe i kërkon në fund të vitit. Jo se nuk kanë lekë por për raportin me librin, dashuria për librin, respekti për atë objekt që është ndryshe nga çdo objekt tjetër”, theksoi Rama.

“Gjithçka ka lidhje me librin, kjo është ‘hileja’ që duhet shpjeguar dhe ndërkohë sistemi ka nevojë të mundësojë penalizime për ata që nuk kthejnë librat. Penalizimet nuk janë për fëmijët por për prindërit që stresohen pse u duhet t’u thonë fëmijëve të kenë kujdes për librin, mikun e tyre më të mirë”, tha Rama. /atsh