ATSH/ Vendi u përfshi gjatë natës së shkuar nga temperatura të ulëta që në zonat veriore dhe juglindore arritën disa gradë nën zero, por në të gjitha akset rrugore qarkullimi i mjeteve kryhet normalisht.

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) njoftoi sot se të gjitha akset rrugore janë të kalueshme dhe se kontraktorët po punojnë për shpërndarjen e kripës.

“Në rajonin verior gjatë natës ka mbizotëruar mot i kthjellët pa reshje. Në segmentet rrugore ku ka prezencë ngricash, është bërë shpërndarja e kripës që në orët e para të mëngjesit. Në të gjitha kontratat e Rajonit Verior qarkullimi kryhet normalisht”, njoftoi ARRSH-ja.

Në rajonin qendror, moti ka qenë i kthjellët. “Për shkak të temperaturave të ulëta, në segmentet Fushë Stude – Stebleve dhe në Krujë – Sarisalltik, ka patur prezencë ngricash në rrugë. Kontraktorët kanë bërë shpërndarjen e kripës që në orët e para të mëngjesit dhe qarkullimi kryhet pa problem”, thekson ARRSH-ja.

Sipas ARRSH-së, temperaturat në qarkun e Korçës kanë qenë deri -2 gradë. Në akset e këtij qarku ka prezencë të brymës dhe të mjegullës së dendur. Kontraktorët kanë bërë shpërndarjen e kripës që në orët e para të mëngjesit. Në Rajonin Jugor nuk ka probleme në qarkullimin e mjeteve.

ARRSH-ja rekomandon përdoruesit e rrugës të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe të lëvizin me shpejtësi të reduktuar, sidomos në orët e para të mëngjesit dhe në mbrëmje.

“Kontraktorët janë në gatishmëri për çdo situatë që mund të paraqitet në akset rrugore”, thotë ARRSH-ja.