Një goditje me një bilanc fatkeq prej 51 viktimash, qindra të lënduar e qindra banesa të shkatërruara. Rajoni i Durrësit është një nga zonat më aktive sizmike, që gjatë historisë së vet ka njohur disa shkatërrime totale. Cilat kanë qenë tërmetet më të rënda në Shqipëri, shkaqet e tyre dhe pasojat.

PROF. DR. SHYQYRI ALIAJ

Historiku i tërmeteve dëshmon se qyteti i Durrësit është goditur herë pas here nga tërmete të forta, që kanë shkaktuar shumë viktima dhe dëmtime serioze në ndërtime. Nga kronikat e vjetra rezulton se ky qytet është shkatërruar pothuaj plotësisht në vitet 177 para Krishtit, 334 ose 345 pas Krishtit, 506, 1273, 1279, 1869 dhe 1870. Nga dëshmia për tërmetin e marsit 1273 thuhet se qyteti me 25.000 banorë u shkatërrua plotësisht dhe ata që shpëtuan, u larguan prej tij.

Tërmeti i 17 dhjetorit 1926 me magnitudë 6.2 dhe intensitet 9 ballë është i fundit që ka goditur qytetin e Durrësit dhe zonën rreth tij duke dëmtuar rëndë Durrësin, Kavajën e Shijakun dhe fshatrat rreth tyre. Goditja kryesore e tërmetit të Durrësit e 21 shtatorit 2019 kishte vatër të thellë 20 km dhe pasgoditjet e saj me epiqendër në det kanë vatra të cekëta që shkojnë nga 10 deri 50 km, dëshmi e gjenerimit të këtij aktiviteti sizmik nga zona e subduksionit kontinental të Mikropllakës së Adrias nën pllakën euroaziatike.rrenoja termet4

Ja pse zona bregdetare e Shqipërisë është rajoni më i ekspozuar ndaj rreziqeve sizmike në Shqipëri, gjatë saj brezi më i fuqishëm i tërmeteve, i quajtur brezi adriatiko-jonian, ndiqet në gjithë shtrirjen e saj.

Ç’ËSHTË TËRMETI

Tërmetet janë një dukuri gjeologjike, që demonstrojnë më dukshëm dinamikën e planetit ku rrojmë. Ato shprehin në mënyrën më të plotë energjinë e vrullshme që Toka përmban në vetvete si një planet i ri. Tërmeti si fenomen gjeologjik është një “fener” që ndizet në thellësi të Tokës për një kohë të shkurtër dhe na kallëzon se çfarë ndodh atje.

Ai na rrëfen se Toka dridhet, sepse diku në thellësi të saj shkëmbinjtë shkatërrohen dhe këto dridhje përhapen në të gjitha drejtimet. Në afërsi të vatrës se tërmetit lëkundjet e tokës mund të ndihen dhe efektet mund të jenë deri katastrofike, ndërsa larg saj tronditjet shuhen gradualisht. Dridhjet e tokës transmetohen shumë larg në trajtë të valëve sizmike, që regjistrohen nga observatorët sizmologjike, edhe gjer në anën tjetër të globit në rastin e tërmeteve të fuqishme. Tërmetet janë natyrale dhe të induktuara, të shkaktuara nga veprimtaria e njeriut.

Tërmetet natyralë mund të shkaktohen nga shkatërrimi e spostimi i shkëmbinjve gjatë planeve të shkëputjeve të krijuara në thellësi (tërmete tektonike), nga shpërthimet vullkanike (quhen tërmete vullkanike) dhe nga shembjet karstike (quhen tërmete karstike). Në vendin tonë kanë ndodhur tërmete tektonike dhe rrallëherë edhe tërmete karstike lokale e të vegjël. Shkaku i tërmeteve tektonike është akumulimi i një mase të tillë të sforcimeve tektonike thellë në shkëmbinjtë sa që këta nuk i përballojnë më sforcimet vepruese dhe befas thyhen e zhvendosen.Aksioni i nxjerrjes nga rrenojat tre trupave te Miramare111

Shkëputjet apo zonat e shkëputjeve tektonike aktive janë zonat e dobësuara, “plagët” në trupin e Tokës, që hapen herë pas here gjenerojnë tërmete. Tërmetet e induktuara janë vrojtuar në vendin tonë nga ngritja e rezervuarëve të mëdhenj të Fierzës e Komanit, si dhe nga shfrytëzimi në vendburimet e naftës dhe nga shpërthimet në miniera. Forca e tërmetit shprehet me magnitudën dhe intensitetin sizmik. Në shkencën e sizmologjisë përdoren këto shkallë të magnitudave: Magnituda shkalla Rihter – ML, Magnituda e valëve sipërfaqësore-Ms, dhe Moment magnituda -Më. Magnituda maksimale e vlerësuar nga regjistrimet instrumentale shkon deri 9 e pak mbi 9 shkalla Rihter.

FAKTORËT QË PËRCAKTOJNË SHKALLËN E DËMTIMEVE DHE TË HUMBJEVE NJERËZORE NGA TËRMETET

Lëkundjet dhe thyerjet (shkëputjet) tektonike të truallit janë efektet e para kryesore që tërmetet gjenerojnë nga thellësia e Tokës, duke shkaktuar dëmtime serioze të ndërtesave dhe strukturave të tjera, rrëshqitje trualli, zjarre kur dëmtohet rrjeti elektrik ose i gazsjellësit, lëngëzim të truallit, cunami (vale detare) kur thyerjet tektonike copëtojnë fundin e deteve ose oqeaneve, përmbytje kur dëmtohen diga të rezervuarëve ujore dhe plagosje dhe humbje të jetëve njerëzore.

Forca e lëkundjes sizmike. Sigurisht, këtu hyn magnituda e tërmetit, e cila në rastin e tërmeteve më të mëdhenj, arrin mbi 7 deri rreth 9.0. Kështu, janë regjistruar në sizmografin WoodAnderson tërmete që kanë pasur magnituden 8.9-9 dhe ndonjë rast edhe pak mbi 9. Kuptohet që sa më e madhe të jetë magnituda e tërmetit, në rastet e tërmeteve mesatarë dhe të mëdhenj, aq më e madhe do të jetë edhe shkalla e dëmtimeve dhe e humbjeve njerëzore. Kështu p.sh., tërmeti i 28 dhjetorit 1908 në Messina, Itali, me magnitudë 7.5 shkaktoi 120 mijë të vdekur apo tërmeti i 27 dhjetorit 1939 ne Erzinkan, Turqi, me magnitudë 8.0, shkaktoi 23 mijë të vdekur etj. Tërmeti i madh i 11 marsit 2011 në bregun e Oqeanit Paqësor, Japoni, me magnitudë 9.0, që u pasua nga cunami i fuqishëm shkaktoi 20.896 të vdekur dhe shumë dëme pasurore, duke nxjerrë jashtë pune centralet bërthamore të Fukushimës.

Zgjatja e lëkundjes. Gjatë tërmeteve të mëdhenj lëkundjet mund të zgjasin 30-60 sekonda e më tepër. Natyrisht, sa më gjatë të lëkunden objektet, aq më e madhe është shkalla e dëmtimit. Pra, zgjatja e lëkundjes varet nga forca e tërmetit, nga madhësia e magnitudës së tij: sa më e madhe të jetë magnituda e tërmetit, aq më gjatë do të lëkunden objektet dhe aq më të mëdha do të jenë edhe dëmtimet. Kështu, p.sh., në rastin e tërmetit të 27 marsit 1964 në Alaskë, me magnitudë 9.2 dhe intensitet X-XI, u krijua për 4 minuta një megathyerje e gjatë 800 km, gjatë së cilës pllaka kontinentale i mbihipi pllakës oqeanike, dhe lëkundjet vazhduan për 4 minuta e 38 sekonda, duke u shoqëruar në Ankorixh, 120 km larg epiqendrës, me ndryshime në relief (terrene të ngritura për 9.1 m dhe pjesë të tjera të zhytura për 2.4 m), cunami, lëngëzim trualli dhe rrëshqitje të mëdha toke, të cilat shkaktuan viktima njerëzore dhe dëme të jashtëzakonshme pasurore në shtëpitë, ndërtesat dhe infrastrukturën; konsiderohet tërmeti i dytë më i madh në botë. Në rastin e tërmetit të 15 prillit 1979 me magnitudë 7.0, që gjeneroi në zonën kufitare Shqipëri-Mal i Zi, lëkundjet e truallit vazhduan përafërsisht për 15 sekonda dhe dëmet ishin të mëdha në zonën epiqendrore të tij.rrenoja termet3

Tipi i truallit. Një pyetje lind zakonisht, pse intensiteti i lëkundjeve të tërmetit ndryshon kaq shumë nga një vend në tjetrin, madje edhe në vende shumë afër në shkallë lokale? Natyrisht, ndryshimi i tipit të shkëmbinjve është e vetmja arsye. Kështu p.sh., intensiteti në San Francisko gjatë tërmetit të 18 prillit 1906 ishte veçanërisht i lartë në qendrat e banuara të vendosura mbi truall të butë, ndërsa ato mbi kodrat shkëmbore u preken vetëm nga lëkundje mesatare.

Lëkundja, pra, amplifikohet në troje të butë gjatë tërmeteve. Për shembull, nga tërmeti i 15 prillit 1979, fshati Pentarë, i vendosur gati i tëri mbi troje të butë, mbi aluvionet e bregut të lumit Buna, u rrafshua përtokë, ndërsa dy godina prej guri të ndërtuara në kodër mbi shkëmbinj gëlqerorë, fare afër fshatit të lartpërmendur, pësuan dëmtime të lehta, vetëm çarje në mure.

Pra, intensiteti i lëkundjeve sizmike në një distancë fare të vogël ndryshoi shumë, ishte rreth 2 ballë më i lartë në truall të butë në krahasim me atë të vrojtuar mbi shkëmbinj të fortë. Në Budvë, Mali i Zi, ndërtime moderne u shembën plotësisht nga tërmeti i 15 prillit 1979, kryesisht për llogari të kushteve të dobëta të trojeve, mbi të cilat janë ngritur.

Ndërtimet në trojet e dobëta me mundësi lëngëzimi, edhe kur projektohen e ndërtohen me masat e duhura antisizmike, si në rastin e tërmetit të vitit 1964 në Niigate, Japoni, pallatet e larta anohen ose rrëzohen përtokë që nga themelet pa u dëmtuar. Tërmetet që kanë prekur vendin tonë, janë tërmete tektonike, ato krijojnë ose riaktivizojnë thyerje (shkëputje) tektonike, të cilat ndodh që të dalin nga thellësia drejt sipërfaqes, duke e copëtuar dhe deformuar reliefin në terrenet ku kalojnë.

Tipi i godinave. Në shkallën e dëmtimit dhe të humbjeve njerëzore rëndësi të dorës së parë e përcaktuese lot tipi i godinave. Të gjitha godinat e ndërtuara jashtë kritereve të njohur të ndërtimeve antisizmike shtojnë shkallën e dëmtimeve. Cilësia e dobët e ndërtimeve, pa masat e duhura antisizmike, ishte shkaku i kësaj katastrofe humanitare. Ndërtimet e papërforcuara, të ndërtuara prej tulle, guri, blloqe betoni e materiale të ngjashme, pësojnë dëmtime serioze, madje edhe nga tërmetet mesatare.

Kështu, nga tërmeti i Loma Prieta-s, Kaliforni, i 17 tetorit 1989, u dëmtuan rëndë ndërtimet e papërfocuara; shumë ndërtime prej tulle të përforcuara që i rezistuan tërmetit, ishin përqendruar në San Francisko-Oakland, rreth 80 km larg vatrës së tërmetit. Tërmetet sjellin gjithnjë të dhëna të reja, në bazë të të cilave konstruktorët përmirësojnë kodet antisizmike dhe ndërtimet e reja.

Kështu ndodh edhe në vendet më të zhvilluara, p.sh., në Kaliforni, në vitin 1986, për ndërtimet e shtëpive të papërforcuara u miratua një ligj me qëllim të pakësimit të rrezikut sizmik në këto tipe ndërtimesh. Po kështu në vendin tonë, për ndërtimet e reja shumëkatëshe (kryesisht mbi 8 kate), që morën zhvillim të madh këta 10-15 vitet e fundit në qytetet e mëdha të vendit dhe për ndërtimet me rëndësi të veçantë, në vitin 1995 u bë një shtesë ligjit për urbanistikën, i cili u përmirësua më tej në vitin 1998, që i detyron të gjithë ndërtuesit që t’i paraprijnë me studime inxhiniero-sizmologjike të gjithë sheshet e ndërtimeve të këtij lloji.

Kuptohen pasojat që rrjedhin nga moszbatimi si duhet në projektim dhe ndërtim i studimeve inxhiniero-sizmologjike të shesheve të ndërtimit të objekteve ndërtimore në raste të ndodhjes së tërmeteve të fortë. Momenti kur bie tërmeti. Është me mjaft rëndësi, sidomos për humbjet njerëzore.

Tërmeti mund të bjerë ditën apo natën, në ditë pune apo pushimi, në çaste qetësie apo të pikut të transportit etj. Tërmeti i Turqisë i 17 gushtit 1999, që ndodhi në orën 3:00 pas mesnate, pati mijëra viktima njerëzore, të cilat nuk do të ndodhnin nëse ai do të kish ndodhur ditën kur shumica e njerëzve do të ishin jashtë shtëpive.

Shkalla e popullimit. Është një tjetër faktor që ndikon në shkallën e humbjeve njerëzore në rast të ndodhjes së tërmeteve të fuqishëm. Në qytetet me popullsi të madhe, kur goditen nga tërmete të fuqishë,m kuptohet që humbjet njerëzore do të jenë shumë më të mëdha se në qytete me popullsi mesatare ose të vogël.

Tërmete të mëdhenj, që shkaktuan shumë viktima njerëzore në zona shumë të populluara: Tërmeti i 16 dhjetorit 1920 Kinë, Kansu me magnitudë 8.5, rreth 200.000 të vdekur, tërmeti i 6 tetorit 1948, Ashkabat, Turkmeni me magnitudë 7.3, 110.000 të vdekur, tërmeti i 28 korrikut 1976 Kinë, Tangshan, me magnitudë 7.9, mbi 250.000 të vdekur, tërmeti i 26 dhjetorit 2004 Sumatra, Indonezi me magnitudë 9.1, 227.898 të vdekur, tërmeti i 8 tetorit 2005, Pakistan, me magnitudë 7.6, 80.311 të vdekur etj.

BREZAT TËRMETORË NË BOTË DHE VENDI I SHQIPËRISË

Përhapja gjeografike e tërmeteve në botë kallëzon se tërmetet ndodhin më shpesh në disa zona, kur në zona të tjera ato nuk ndihen fare nga njerëzit. Tërmetet bien në disa breza relativisht të ngushtë që qarkojnë rruzullin tokësor. Janë veçuar këta breza tërmetorë në botë:

(1) Brezi i Unazës së Oqeanit të Qetë, i cili çliron rreth 85 % të energjisë sizmike të të gjithë rruzullit tonë

(2) Brezi Alpin Mesdhetar Transaziatik, ku bën pjesë edhe vendi ynë, që çliron rreth 10 % të energjisë sizmike të globit

(3) Brezi i Kreshtave Mesoqeanike, i maleve të midisit të oqeaneve

(4) Brezat e zonave riftore në kontinente

Brezi tërmetor i Unazës së Oqeanit të Qetë qarkon buzët kontinentale të këtij oqeani dhe përfshin në vetvete zonat sizmike më aktive të botës. Ky brez numëron shumicën e tërmeteve të mëdhenj (deri katastrofik) të cekët e ndërmjetës dhe thuajse të gjithë tërmetet e thellë. Karakterizohet me vargje malore, harqe ishullore dhe vullkanizëm. Brezi tërmetor Mesdhetar Transaziatik ndjek sistemin e rrudhosur Alpin të Mesdheut dhe Himalajeve deri në Oqeani. Shoqërohet me shumë tërmete të cekët e ndërmjetës, disa deri katastrofikë me magnitudë të shkallës Rihter mbi 8.0, vetëm pak tërmete janë të thellë këtu. Në këtë brez përfshihet edhe vendi ynë, që karakterizohet me tërmete të cekët, me magnitudë maksimale të shkallës Rihter nën 7.0.

Brezi i Kreshtave Mesoqeanike ndjek kreshtat e mesit të oqeaneve që formojnë një sistem strukturor me përhapje botërore dhe nis nga Kreshta e Oqeanit Atlantik që vazhdon prej Oqeanit Arktik, i vjen qark Afrikës dhe lidhet me Kreshtën e Oqeanit Indian dhe mandej vijon drejt jugut të Australisë dhe lidhet me kreshtën kryesore të Oqeanit të Qetë. Gjatë kreshtave mesoqeanike ndodhin tërmete të cekët, relativisht të vegjël. Tërmetet janë veçanërisht të shpeshtë në thyerjet transformuese të kreshtave mesoqeanike. Breza tërmetorë të zonave riftore janë evidentuar në zonën riftore të Afrikës Juglindore, në Liqenin e Bajkalit dhe në grabenin e Rinit. Tërmetet këtu zakonisht janë më të vegjël se në zonat malore, ndonëse rrallë janë vrojtuar tërmete deri me magnitudë 8.0.

TËRMETET NË SHQIPËRI DHE NIVELI SIZMIK I SAJ NË KRAHASIM ME BOTËN Zakonisht, sizmiciteti i një vendi grupohet në dy etapa: sizmiciteti historik dhe ai instrumental. Sizmiciteti historik bazohet në dëshmitë e mbledhura nga burime të ndryshme dhe ka të bëjë me atë periudhë të historisë kur ende tërmetet nuk regjistroheshin me instrumente të posaçëm.

Sizmiciteti instrumental përfshin periudhën kryesisht që nga shek. XX, pasi që nga kjo kohë, në Europë e në botë nisi vendosja e shtimi i numrit të stacioneve sizmologjikë dhe regjistrimet e tërmeteve filluan të mblidhen sistematikisht e të përpunohen.

Nga të dhënat e derisotme, rezulton se në periudhën nga shekulli II-III para Krishtit, deri në vitin 1900, vendi ynë është goditur nga 55 tërmete të fuqishëm me intensitet lo > VIII ballë (MSK-64), nga të cilët 15 prej tyre kanë pasur intensitet Io = IX ballë, shkalla MSK-64. Nga këto 55 tërmete që njihen për një periudhë më shumë se 2000-vjeçare, 36 i takojnë shek. XIX, gjë që tregon se numri real i tërmeteve të këtyre përmasave nuk është i saktë dhe një pjesë e tyre ka humbur nëpër thellësitë e kohërave, duke dashur ende një punë hulumtuese mbi to.

Nga të dhënat e mbledhura e të përpunuara, rezulton se Shqipëria, gjatë shekullit të kaluar, është goditur nga mjaft tërmete dëmtuese. Ndër tërmetet e fuqishme që kanë goditur vendin tonë shekullin e kaluar, përmendim:

-1 qershor 1905: Shkodër, me magnitudë 6.6 dhe intensitet IX ballë, shkalla MSK-64, 200 të vdekur

-18 shkurt 1911: zona rreth Liqenit te Ohrit, me magnitudë 6.7 dhe intensitet IX ballë, shumë viktima

-13 shkurt 1912: Mokër (Pogradec) me magnitudë 6.0 dhe intensitet VIII ballë, pak viktima -22 dhjetor 1919: Leskovik-Konicë me magnitudë 6.1 dhe intensitet VIII ballë

-26 nëntor 1920: Tepelenë me magnitudë 6.4 dhe intensitet IX ballë, 36 të vdekur

-18 dhjetor 1920: Elbasan me magnitudë 5.6 dhe intensitet VIII ballë, 14 të vdekur

-30 mars 1921: Peshkopi me magnitudë 5.8 dhe intensitet VIII-IX ballë

-17 dhjetor 1926: Durrës me magnitudë 6.2 dhe intensitet IX ballë, pak viktima

-21 nëntor 1930: Llogora (Vlorë), me magnitudë 5.8 dhe intensitet IX ballë, 30 të vdekur -28 janar 1931: Korçë, me magnitudë 5.8 dhe intensitet VIIIIX ballë, 4 të vdekur

-4 shkurt 1934: Ndroq (Tiranë), me magnitudë 5.6 dhe intensitet VIII ballë

-31 mars 1935: Çermenikë me magnitudë 5.7 dhe intensitet VIII ballë

-27 gusht 1942: Peshkopi me magnitudë 6.0 dhe intensitet VIII-IX ballë, 44 të vdekur

-27 gusht 1948: Trush (Shkodër) me magnitudë 5.5 dhe intensitet VIII ballë, 1 i vdekur

-1 shtator 1959: Lushnjë me magnitudë 6.2 dhe intensitet VIII-IX ballë

-26 maj 1960: Korçë, me magnitudë 6.4 dhe intensitet VIII-IX ballë, 7 të vdekur

-18 mars 1962: Fier, me magnitudë 6.2 dhe intensitet VIII-IX ballë, 5 të vdekur

-30 nëntor 1967: Gollobordë, Dibër me magnitudë 6.6 dhe intensitet IX ballë, 12 të vdekur

-Tërmeti më i fortë është ai i 15 prillit 1979 me epiqendër në bregdetin Dalmat, Mali i Zi, me magnitudë 6.6 deri 7.2 (Ms = 6.9) dhe intensitet epiqendror IX1/2 ballë MSK-64, që shkaktoi shumë dëme materiale e viktima njerëzore në zonën kufitare Mal i ZiShqipëri (131 të vdekur, nga të cilët 35 në territorin tonë).

Shqipëria është një ndër vendet më sizmoaktive në Europë. Shumica e tërmeteve të fortë ndodhin në 3 breza sizmikë mirë të përcaktuar, si vijon:

a) Brezi tërmetor Adriatiko-Jonik në buzën lindore të mikropllakës së Adrias me shtrirje veriperëndim-juglindje

b) Brezi tërmetor Peshkopi-Korçë me shtrirje veri-jug

c) Brezi tërmetor Lushnjë-Elbasan-Dibër me shtrirje verilindore

Në Shqipëri janë veçuar disa zona tërmetore gjatësore e tërthore, që kanë gjeneruar tërmete të cekët, që janë si vijon:

(1) Zona tërmetore (ose sizmoaktive, siç quhet ndryshe) joniko-adriatike, që ndjek zonën bregdetare të Adriatikut dhe Jonit, me shtrirje veriperëndim-juglindje dhe që ndahet në dy segmente prej tërthoreve:

(a) Segmenti në veri të tërthores Shkodër-Pejë me magnitudë maksimale të shkallës Rihter pak mbi 7.0 jashtë kufirit tonë shtetëror (tërmeti i 15 prillit 1979 dhe ai i 6 prillit 1667)

(b) Segmenti midis tërthoreve Shkodër-Pejë dhe asaj Prevezë-Sperkios me magnitudë maksimale të vrojtuar nën 7.0. Segmenti nga Preveza në jug karakterizohet jo vetëm nga tërmete të cekëta, por edhe nga tërmete ndërmjetëse dhe ndjek zonën e subduksionit oqeanik të harkut të Egjeut, me magnitudë maksimale të vrojtuar mbi 7.0 deri edhe mbi 8.0.

(2) Zona tërmetore Korçë-Peshkopi, ose zona sizmogjene e Drinit, me shtrirje gati veri-jug, me magnitudë maksimale nën 7.0.

(3) Zona tërmetore Shkodër-Mat-Bilisht, me shtrirje veriperëndim-juglindje, me magnitudë deri 5.0 në jug të tërthores Shkodër-Pejë, ndërsa në veri të saj, në Ultësirën e Shkodrës, me magnitudë maksimale nën 7.0.

(4) Zona tërmetore Shkodër-Pejë, me shtrirje jugperëndimverilindje, me magnitudë maksimale nën 6.0.

(5) Zona tërmetore Lushnjë-Elbasan-Dibër, me shtrirje jugperëndim-verilindje, me magnitudë maksimale nen 7.0.

(6) Zona tërmetore Vlorë-Tepelenë, me shtrirje perëndim-veriperëndim – lindje-juglindje, me magnitudë maksimale nën 7.0

Sizmiciteti i një vendi përcaktohet si funksion i madhësisë së tërmeteve (sipas madhësisë së magnitudës) dhe i shpeshtësisë së ndodhjes së tyre.

I parë në këtë kontekst, duke pasur për bazë klasifikimin tashmë të njohur të madhësisë së tërmeteve sipas magnitudës (Hagiwara 1964; Lee & Stewart 1981), sizmiciteti i Shqipërisë karakterizohet nga një mikroaktivitet sizmik (1.0<M3.0) intensiv, nga tërmete të vegjël (3.0<M5.0) të shpeshtë dhe nga tërmete mesatarë (5.0<M<7.0) të rrallë.