Pas tërmetit shkatërrimtar të 29 nëntorit, i cili la pas 51 viktima si edhe qindra banesa të shkatërruara, duke lënë për pasojë mijëra banorë të pastrehë. Një ndër kategoritë që u cilësuan si fajtorët e dëmeve që la pas tërmetit ishin edhe ndërtuesit e pallateve. Sakaq kanë nisur hetimet për arrestimin e personave përgjegjës. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, ka depozituar dje kërkesën për dhënien e masës së sigurisë për 31 të ndaluarit e tri ditëve më parë në kryeqytet në kuadër të hetimit për abuzimet me ndërtimet apo me detyrën pas tërmetit të 26 nëntorit. Dhe sipas procedurave, të premten në Gjykatën Penale të Tiranës pritet të zhvillohet seanca për masën e sigurisë për të ndaluarit. Prokuroria e Tiranës ka bërë të ditur se, dy prokurorët e Prokurorisë së Tiranës, Erjon Imeraj dhe Alket Mersini, të cilët që prej datës 27 nëntor kanë marrë në dorë hetimin për dëmtimet e tërmetit të datës 26 nëntor, kanë dorëzuar kërkesat për masat e sigurisë për 31 të arrestuarit. Sakaq kujtojmë se dy ditë më parë, Prokuroria sqaroi me detaje shkeljet e konstatuara në radhët e zyrtarëve të pushtetit vendor dhe të ndërtuesve. Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elizabeta Imeraj në një deklaratë për shtyp, deklaroi se ka arritur në 31 numri i të arrestuarve për sa i përket drejtuesve dhe zyrtarëve që kanë abuzuar me ndërtimet pa leje dhe që për pasojë sollën humbje në jetë njerëzish pas tërmetit që goditi Shqipërinë më 26 nëntor. Ajo tha se u përmbyll faza e parë e hetimeve të Prokurorisë Tiranë, e cila u konkludua me një numër të madh arrestimesh, 31 të tilla. “Prokuroria e rrethit Gjyqësor Tiranë më 27 nëntor ka filluar hetimin pas tërmetit, duke u munduar të nxjerrë në pah shkeljet e punonjësve të administratës, por edhe ndërtuesit, që sollën si pasojë nxjerrjen e disa banesave të pabanueshme me akte konstatimi. Deri tani duke marrë informacion nga institucionet e tjera kemi evidentuar 25 institucione, 125 pallate dhe 200 banesa të dëmtuara në Qarkun e Tiranës nga tërmeti i 26 nëntorit”, tha Imeraj.