Rikthehet Kategoria Superiore me ndeshjen Teuta-Flamurtari, që çel këtë të premte, në orën 18:00, javën e tetë. Për shkak të ndërhyrjeve në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, ky takim do të zhvillohet në “Elbasan Arena”. Një avantazh jo i vogël për ekipin vlonjat, që nuk do ta ndiejë presionin e fushës kundërshtare në një moment mjaft të vështirë, teksa i duhen pikët për të dalë nga kriza e rezultateve të fillimsezonit.

Sigurisht që Teuta, e drejtuar nga Bledi Shkëmbi, është më e favorizuar për faktin e thjeshtë që ka më shumë cilësi në organikë, por kuqezinjtë shkojnë në Elbasan me moral të lartë pas atij barazimi 2-2 me Tiranën në Vlorë. Pauza e shkurtër e kampionatit i ka dhënë mundësi trajnerit Dritan Sadedini, të korrigjojë diçka në skuadrën e tij, sidomos në aspektin fizik dhe taktik, duke ditur që Flamurtari është formuar dhe i ka nisur përgatitjet vetëm një javë para fillimit të kampionatit.

Kjo është arsyeja që vlonjatët mbyllin tabelën e klasifikimit me vetëm 2 pikë të grumbulluara në 7 ndeshje dhe me një golaverazh negativ 6/17.

Sa u përket formacioneve që do të zbresin në fushë, Bledi Shkëmbi do të duhet të bëjë pa shërbimet e Vecajt, i cili është stërvitur individualisht në ditët e fundit, ndërsa rikthehet Teodorvskit. Nga minuta e parë pritet ta nisë edhe Sherif Kallaku, kapiteni i Shpresave, i cili ishte titullar në ndeshjen e fundit kundër Kosovës U-21.

Në kampin kuqezi mungesa e vetme është Bajram Nebihi.