ATSH/ Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka deklaruar se adresa e zgjidhjes së ngërçit politik në të cilin ndodhet vendi është te partitë politike, ndërsa theksoi se në rast të kalimit në një fazë tjetër si president i vendit do të punojë me tërë potencialin që të garantohet funksionimi demokratik i institucioneve të vendit.

Kreu i shtetit tha se ka nënshkruar vendimin për mandatimin e kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti për kryeministër, derisa i ka bërë thirrje që të njëjtin vendim ta pranojë.

E në rast të mospranimit, Thaçi tha se është e drejtë e Kurtit që ta refuzojë publikisht që nuk është i gatshëm ta formojë qeverinë. Ai tha se vullneti i njerëzve të Kosovës është më i madh se çdo lider dhe vullneti për të lëvizur më shpejt i qytetarëve të Kosovës, është më i madh sesa pretendimi për të mbajtur peng një proces, një shtet dhe një popull.

Presidenti Thaçi tha se qytetarët kanë votuar për krijimin e institucioneve dhe jo për krijimin e vakumeve të panevojshme, e në këtë drejtim ai tha se beson se nuk do të mungojë angazhimi i spektrit politik.

I pyetur rreth mundësisë së mandatimit të një partie tjetër, Thaçi tha se Kosova nuk do të jetë edhe gjatë e bllokuar.

Rreth mundësisë që ai t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për mosdërgimin e emrit të mandatarit, Thaçi tha se do të presë që spektri politik të shterojë të gjitha mundësitë e komunikimit për ndërtimin e institucioneve, e pastaj do të shohë për hapat që do t’i ndërmarrin.