Kryeministri Edi Rama ka bërë thirrje të përgatitet sa më shpejt lista e ilaçeve të nevojshme për banorët e prekur nga tërmeti.

Gjithashtu në mbledhjen e qeverisë, mëngjesin e sotëm, Kryeministri kërkoi stafet e ambienteve, ku janë akomoduar banorët, t’i trajtojnë të gjithë me kujdes dhe jo si turistë por si pacientë.

Ai tha se krisjet, çarjet, plasaritjet në godina janë po trauma të padukshme në mendjen e njerëzve që kërkojnë vëmendje të jashtëzakonshme.

Edi Rama: “Duhet të ritheksoj aspektin psikologjik. Është betejë e madhe. Krisjet, çarjet, plasaritjet në godina janë po njësoj në mendjen e njerëzve. Janë fraktura, trauma të padukshme që kërkojnë vëmendje të jashtëzakonshme dhe punë shumë të madhe.

Do dëshiroja që Blendi që po merret me akomodimin e tyre në struktura të lira në bashkëpunim me Orgetën dhe Besën të garantoni që kujdes psikologjik të jetë i pranishëm në gjithë këto struktura. Nuk është çështje psikologësh, në atë të specialistëve janë 1, 2 ose 3 , por në aspektin e trajtimit nga stafet aty. 

Ata nuk janë turistë aty, nuk janë klientë, janë pacientë në këtë moment dhe duhen trajtuar si të tillë me mësuesit që do çojmë atje, me stafet mjekësore dhe ju lutem sa më shpejt listën e ilaçeve të nevojshme nga të gjithë ata aty. Ata që janë në hotele dhe vuajnë nga sëmundje kronike duhet të ketë të gjithë shërbimin përkatës.”