Trump, me fjalor të ashpër, refuzon propozimet mbi emigracionin
Trump, me fjalor të ashpër, refuzon propozimet mbi emigracionin

Presidenti amerikan, Donald Trump ka habitur dje deputetët duke  përdorur termin “vende të ndyra” kur ata propozuan rivendosjen e mbrojtjes për emigrantët nga Haiti, Salvadori dhe vendet afrikane, sipas një raporti të medias.

”Trump u irritua kur deputetët hodhën idenë e rivendosjes së mbrojtjes për emigrantët nga vendet që janë pjesë e një marrëveshjeje dypalëshe për emigracionin”, njoftoi dje e përditshmja amerikane “Washington Post”.

“Pse duhet të vijnë këtu, kaq shumë individë nga vendet e ndyra?”, tha Trump, sipas burimeve të “Washington Post”.

Më pas, ai sugjeroi që SHBA-ja duhet të lejonte më shumë emigrantë nga vendet si Norvegjia.

“Ideja për rivendosjen e mbrojtjes për emigrantët , u propozua nga dy senatorë gjatë një takimi me presidentin Trump në Zyrën Ovale, zyra presidenciale në Shtëpinë e Bardhë”, sipas “Washington Post”.

Ata sugjeruan rikthimin e statusit për lejet e qëndrimit në rastet e veçanta për emigrantët nga El Salvador dhe vendet e tjera në legjislacionin,  që do të financonte një mur në kufirin SHBA-Meksikë dhe që do të bënte ndryshime në sistemin e lotarisë së vizave.

Të hënën, Trump revokoi statusin e lejes së qëndrimit në rastet e veçanta të rreth 200 000 emigrantëve nga El Salvador, që u është lejuar të jetojnë në SHBA pas tërmetit të vitit 2001.

Gjithashtu, një vendim që ofronte mbrojtje të përkohshme të ngjashme edhe për emigrantët nga Haiti, Nikaragua dhe Sudani, si vende që kanë pësuar fatkeqësi të mëdha natyrore ose luftëra civile gjatë dekadave të fundit, u shfuqizua vitin e kaluar.

Sipas një deklarate të Shtëpisë së Bardhë u theksua se presidenti Trump do të pranonte propozimet e senatorëve  vetëm në rast se një projektligj mbi emigracionin do të synonte në mënyrë adekuate shqetësimet e tij.

Kongresistja republikane e Utah, Mia Love, vajza e emigrantëve nga Haiti, i bëri thirrje dje presidentit Trump  që të kërkonte falje lidhur me deklaratën e tij mbi çështjen e pranimit të migrantëve në SHBA.

“Deklarata e presidentit Trump është e pahijshme, përçarëse, elitiste dhe ul vlerat e vendit tonë. Presidenti duhet të kërkojë falje si për popullin amerikan ashtu edhe për vendet ndaj të cilave ai  është shprehur kaq keqadashë”, deklaroi Love gjatë një postimi në Twitter. /atsh