Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, gjatë një interviste televizive, u shpreh se Shqipëria është i pari vend që bëri ‘Lock- Down’ me pacientin zero, prandaj dhe kurbat e vendeve të tjera në 17-18 ditët e para janë më të larta.

Ai tha se brenda 45 ditësh masat që kanë hyrë në fuqi duhet të miratohen nga Kuvendi teksa vlerësoi Shqipërinë dhe qeverinë për masat që ka ndërmarrë. ”Mbaj mend 8-9 marsin. 9 marsi ishte pacienti i parë në Shqipëri dhe të gjitha atë ditë panë masat e para nga qeveria që ishin masat e para të një lock-down brenda disa orareve dhe tashmë në orare edhe më restriktive”, – theksoi Balla.

“Unë besoj se të gjitha ndajmë mendimin se i morëm masat në kohën e duhur. Jemi 17-18 ditë nga ato masat dhe teksa studiojmë kurbat e vendeve të tjera, në ditët 19-20 janë ato më të lartat. Por shoqëria shqiptare këtë izolim mezi e ka absorbuar, por çdo individ duhet të respektojë karantinimin. Nuk është vetëm se merr në qafë veten por edhe familjarë. Kjo luftë është me një armik që as nuk e sheh, as nuk e dëgjon por padashur infektohesh dhe infekton një tjetër”, – tha Balla.

“Pashë që India vend me 1.3 miliardë banorë e mori këtë masë nga e marta. Pra 1.3 miliardë banorë do të jenë të mbyllur për 21 ditë. Shihni çfarë masa drastike ndërmorën por me vonesë. Nëse nuk do e kishin marrë këtë masë sigurisht do të kishim më shumë edhe pse 99% e shqiptarëve besoj se i kanë respektuar masat. Në luftën për jetën mund të heqësh dorë nga gjithçka tjetër”, – tha Balla.

Duke folur për masat ekonomike, Balla shtoi se “do thërrasim Konferencën e Kryetarëve për të planifikuar punën e Kuvendit dhe për të miratuar aktet normative nga qeveria. Aktet normative për qeverinë dhe masat janë 7, kanë hyrë të gjitha në fuqi.  Masat janë të tilla që hynë në fuqi menjëherë por në 45 ditë duhet të miratohen nga Kuvendi”, – shtoi ai.

“Paketa ekonomike i vjen fillimisht në ndihmë familjeve me ndihmë ekonomike. Ne kemi miratuar jo vetëm paga për pagesën e luftës që janë goditur nga mbyllja, por edhe dyfishimi i ndihmës ekonomike për familjes që janë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike. Një pjesë e komisioneve kanë funksionuar nëpërmjet mbledhjeve online. Në këtë moment Këshilli Europian, 27 kryeministra dhe presidentë të BE po zhvillojnë Samitin për të miratuar vendimet”, – tha Balla.

“Kuvendi i Shqipërisë në një kohë të përafërt do të bëjë seancën e planifikuar për të miratuar vendimet por edhe marrëveshjet me Bankën Botërore. Në kontekstin e fillimeve të bisedimeve. Prej të hënës KE duhet të draftojë kuadrin e negociatave dhe ndër çështjet që do të duhet të adresohen është pjesa e përmbylljes së Reformës Zgjedhore”, – tha Balla.

Duke folur për fondin 50 milionë euro të BE për betejën ndaj COVID-19, Balla shprehet i bindur se në këtë situatë  Bashkimi Europian do të vijojë që të mbështesë Shqipërinë edhe me ndihma të tjera.

”Një lajm  mirë në këto ditë të vështira është vendimi për fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Në këto momente që flasim Këshilli është mbledhur për jo vetëm për çështjen e bisedimeve por për atë që është kryesore, situatën e koronavirusit që është një kërcënim global.

Gjej rastin të falenderoj BE që edhe pse Shqipëria nuk është një vend që i ka filluar zyrtarisht bisedimet, BE insistoi ta përfshijë Shqipërinë në fondin e solidaritetit. Shqipëria ka marrë 50 milionë euro si ndihmë e parë dhe jam i bindur se ndihmat do të vijojnë. 4 prej tyre për pajisje mjekësore, 11 milionë euro për politika sociale dhe 35 milionë euro për ringritje ekonomike pas kësaj krize”, – tha Balla.

Balla, në kuadër të çeljes së negociatave, tha se shpreson që konferenca e parë ndërqeveritare të mblidhet këtë vit në tryezën mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian pas çeljes së negociatave, teksa kujton se kushti parësor për t’u ulur në këtë tryezë është miratimi i Reformës Zgjedhore dhe nxit opozitën parlamentare dhe joparlamentare që konsultimet për të të përfundohen ‘online’.

”Edhe pse jemi të fokusuar tek beteja me COVID-19, një betejë në front të të cilëve janë mjekët infermierët. Tryeza e Reformës Zgjedhore brenda një kohe të shkurtër duhet të përmbyll konsultimin që kur kuvendi të jetë gati të kemi miratimin në Kuvend të Reformës Zgjedhore që duhet të ishte përmbushur dhe është një detyrim. Jemi në një fazë optimiste pasi opozita jo parlamentare është pjesë e tryezës. Çdo shqiptar shpreson që konferenca e parë ndërqeveritare të zhvillohet brenda këtij viti. Jo vetëm funksionaliteti i Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë apo dhe vijimi i reformës gjyqësore”, – tha Balla.