Presidenti francez, Emmanuel Macron i ka dërguar një letër kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, ku i kërkon të heqë taksën ndaj Serbisë, si dhe i ka premtuar të mbajë një samit Kosovë-Serbi.

Kurti kishte marrë edhe një letër nga Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo, i cili i ka kërkuar të njëjtën gjë, të heqë taksën 100% ndaj Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës.

Taksa e vendosur nga ish-kryeministri Haradinaj është bërë çështja kryesore pas marrjes së detyrës nga Kurti, pas bllokadës së vendosur para 15 muajve.

“Shpresojmë se ju do ta bëni këtë prioritet dhe do të shfrytëzoni ritmin e krijuar nga planet për rivënien e linjave ajrore dhe hekurudhore mes Prishtinës dhe Beogradit”, thuhej ndër të tjera në letrën e Pompeo.

Ndërsa Macron në letrën e tij ka uruar Kurtin për marrjen e detyrës dhe I ka kërkuar të heqë taksën ndaj Serbisë.

“Hapi i parë duhet të jetë rifillimi i dialogut, për të cilin jam i gatshëm të ndërmjetësoj, duke organizuar një samit në Paris, së shpejti, me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, në bashkëpunim me kancelaren Merkel dhe përfaqësuesin e lartë të BE-së, Borrell.

“Rifillimi i dialogut nënkupton veprime nga të dyja palët: pezullimin e tarifës prej 100 për qind nga Kosova, dhe pezullimin e fushatës kundër njohjeve të Kosovës nga Serbia”, thuhej ndër të tjera në letrën e Macron.