Shtetet e Bashkuara të Amerikës u kanë dërguar dje një mesazh të qartë politikanëve të korruptuar se, reforma në drejtësi do të shkaktojë revolucion në radhët e tyre. Duke folur në aktivitetit që u zhvillua dje te godina e “Polit të Drejtësisë” për diplomimin e magjistratëve që përfunduan studimet në programin e formimit fillestar gjatë periudhës 2016-2019, e ngarkuara me punë e Ambasadës së SHBA në Tiranë, Leyla Moses-Ones deklaroi se Amerika nuk do të ndalet së mbështeturi Shqipërinë për zbatimin e plotë të reformës në drejtësi. Në këtë kontekst zonja Moses-Ones dha garancinë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të vendosur për ta shndërruar këtë vend nga fillimi deri në fund. “Është vërtet një nder për mua të jem sot me ju të gjithë në këtë rast të veçantë, diplomimin tuaj nga Shkolla e Magjistraturës. Urime! Sot, nuk do të flas për politikën e SHBA.- sepse të gjithë ju e dini se ku qëndrojmë. Ne qëndrojmë pranë përparimit të Shqipërisë drejt arritjes së reformave historike në gjyqësor që do ta shndërrojnë këtë vend nga maja deri në fund. Në vend të kësaj, sot, do të doja të flas për udhëtimin tuaj”, deklaroi ajo.

Reforma në drejtësi, revolucion ndaj të korruptuarve

Duke u ndalur tek reforma në drejtësi, për të cilën SHBA kanë investuar shumëe ngarkuara me punë e Amerikës, Leyla Moses-Ones theksoi se kjo reformë është një revolucion për të korruptuarit, ndërsa inkurajojë magjistratët e rinj që ta luftojnë këtë fenomen me zero tolerancë. Madje, për të treguar se reforma në drejtësi është histori suksesi zonja Moses-Ones theksoi se sistemi gjyqësor tanimë do të jetë i ndershëm, pasi të korruptuarit u flakën jashtë sistemi, duke shtuar se si prokurorët ashtu edhe gjyqtarët që kanë kaluar vetingun janë më të fuqishëm dhe të pa shantazhueshëm nga kriminelët dhe pushtetarët e korruptuar. “Reforma në drejtësi nuk ishte asgjë më pak se një revolucion i qetë me konsensus politik dhe ju jeni rojtarët e kësaj përpjekjeje. Përpjekjet tuaja janë të lidhura me të ardhmen më të gjerë të demokracisë së vendit tuaj. Udhëtimi juaj do t’ju vendosë në pozicione për të ndërtuar dhe për të mirëmbajtur sistemin e ri gjyqësor të Shqipërisë për dekadat e ardhshme. Kjo ju jep fuqi të jashtëzakonshme, përmes këtyre valëzave, që të ndërtoni- vendim pas vendimi, ditë pas dite- një sistem gjyqësor të ndershëm dhe transparent, pa korrupsion dhe të lirë nga çfarëdo ndikimi kriminal”, u shpreh ajo.

Vigjilenca ndaj korrupsionit

Por përveç inkurajimit për magjistratët e rinj, e ngarkuara me punë e Ambasadës së SHBA në Tiranë, Leyla Moses-Ones kishte edhe një porosi për ta, teksa iu kërkoi që të jenë vigjilent dhe të mbajnë sytë hapur ndaj pabarazisë dhe korrupsionit. Madje, zonja Moses-Ones iu bëri thirrje magjistratëve të rinj që ta ushtrojnë profesionin me devotshmëri, pasi sipas tij, vetëm kështu Shqipëria do të jetë e lirë dhe demokratike. “Ju nxis të gjithëve që të bëheni agjentë të ndryshimit për një Shqipëri më të lirë, më të drejtë dhe më demokratike. Ushtrojeni fuqinë tuaj të re me përgjegjësi. Përfaqësojeni profesionin tuaj të ri me nder. Dhe kryejini detyrat tuaja në mënyrë etike, me sy të pandikueshëm nga korrupsioni dhe të hapur ndaj padrejtësisë dhe pabarazisë. Secili nga ju, si individ, ka përgjegjësinë të jetë më i mirë dhe të bëjë më mirë se ata para jush. Secili nga ju duhet të krijojë valën e tij të shpresës për të mirën e këtij vendi. Dhe kur ta bëni- kur të gjithë ta bëni së bashku- valët tuaja të përbashkëta do të krijojnë një rrymë aq e fuqishme sa që do të transformojnë përgjithmonë sistemin tuaj të drejtësisë për të mirën e të gjithë popullit shqiptar”, nënvizoi e ngarkuara me punë e Ambasadës së SHBA në Tiranë, Leyla Moses-Ones.

Rigels Seliman

/Agjensia e Lajmeve Sot News/