UEFA ia ka nisur hetimet ndaj Neymarit për komentet e papërmbajtura që braziliani i bëri në rrjetet sociale pas eliminimit të Paris Saint-Germainit nga Liga e Kampionëve në kurriz të Manchester Unitedit javën e kaluar.

Braziliani, i cili mungoi në të dy ndeshjet e PSG-së në 1/8 e finales kundër Unitedit, e postoi një mesazh zemërues në Instagram pasi Unitedit i ishte dhënë një penallti në minutën e katërt të kohës shtesë, transmeton Gazeta Express.

Marcus Rashford e shënoi penalltinë, që Damir Skomina e dha vetëm pasi e konsultoi VAR-in, e cila i dërgoi anglezët në çerekfinale falë golave të shënuara si mysafir pas fitores 3:1 në Paris.

Neymari, më pas shkroi në Instagram: “Ky është turp, e kanë vendosur katër persona që nuk dinë asgjë për futbollin për ta rishikuar aksionin në VAR”.

“Nuk pati penallti. Si mund të jetë lojë me dorë kur e godet në shpinë! Ec, pridhuni!”

Tani, UEFA ka vendosur ta hapë një hetim për këtë.

“Në përputhje me Artikullin 31 (3) (a) të Rregulloreve Disiplinore të UEFA-s, UEFA njofton se i ka kërkuar Inspektorit të Etikes dhe Disiplinës ta kryejë një hetim për komentet e bëra në rrjetet sociale nga lojtari i Paris Saint-Germainit, Neymar”, thuhet në njoftimin e UEFA-s. /Gazeta Express