Ulet në 10 lekë/kg, niveli i taksës për importuesit dhe prodhuesit e plastikës
Ulet në 10 lekë/kg, niveli i taksës për importuesit dhe prodhuesit e plastikës

Ulet taksa në 10 lekë/kg, për lëndët e para që importohen për prodhimin e artikujve plastikë.

Qeveria ka konkretizuar nismën, duke marrë në konsideratë, pas analizës së thelluar edhe kërkesën e biznesit në lidhje me uljen e kësaj takse.

Sipas draftit që ndodhet në Kuvendin e Shqipërisë, taksa mbi lëndët e para primare, të cilat importohen për prodhimin e artikujve të plastikës në vend ulet nga 25 lekë/kg në 10 lekë/kg.

Gjithashtu qeveria parashikon përmes kësaj nisme edhe rimbursimin e çdo artikulli plastik që eksportohet dhe që përdoret në procese teknologjike për prodhimin e mallrave jo plastike.

Ulja e nivelit të taksës llogaritet të ketë një efekt rreth 200 deri 225 milionë lekë në vit. Referuar relacionit të nismës, aplikimi i këtyre ndryshimeve parashikohet të bëhet duke nisur nga mesi i këtij viti.

Rishikimi i taksës për plastikën në Paketën e re Fiskale 2019, pati në thelb mbështetjen e komunitetit të biznesit dhe të mjedisit. Për këtë qëllim u konsiderua që ulja e saj nga 100 lekë në 35 lekë, do të ishte një impakt pozitiv si për biznesin, dhe në çmimin final që paguan konsumatori.

Megjithatë, gjatë aplikimit të kësaj takse, në Paketën Fiskale u konsoliduan edhe disa elementë të tjerë, të cilat janë konsideruar nga biznesi si elementë shtesë që kanë rënduar biznesin. Për të cilat qeveria reagoi duke përgatitur nismën konkrete që është tashmë për diskutim në Kuvend.

Paketa Fiskale 2019, në ndryshimet kryesore në ligjin “Për taksat kombëtare”, që konsistojnë në ndryshimin e taksës për taksën e ambalazhit parashikon:

– Për artikujt plastikë dhe ambalazheve plastike të importuara, aplikohet taksa në masën 35 lekë/kg, me përjashtim të lëndëve të para në forma primare.

– Taksa e lëndëve të para në forma primare, të importuara dhe që përdoren për prodhimin në vend të produkteve të plastikës aplikohet në masën 25 lekë. /atsh