Ulet me 640 numri i bizneseve që kanë kaluar me status pasiv, gjatë 4 muajve të parë të vitit 2019, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) shpjegon se ka dy mënyra për kalimin në këtë status: Së pari vetë tatimpaguesi kërkon pezullimin e aktivitetit, në sportelet e Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB) dhe së dyti tatimpaguesit që përmbushin kushtin ligjor “që nuk ushtrojnë veprimtari ekonomike për 12 periudha tatimore mujore të njëpasnjëshme apo janë mosdeklarues për 12 periudha, kalojnë automatikisht nga sistemi në status pasiv”.

Sipas njoftimit nga të dyja këto raste, rezultojnë 373 tatimpagues më pak në 2019, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2018, të cilët kanë kërkuar pezullim të aktivitetit në QKB, ndërsa janë 267 tatimpagues më pak në 2019, të cilët kanë kaluar në status pasiv në mënyrë elektronike nga vetë sistemi, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2018.

DPT tha se në çdo rrethanë leximi i këtyre shifrave nuk mund të jetë i ngurtë, pasi në praktikën e përditshme shumë tatimpagues që kanë ndërprerë veprimtarinë nëpërmjet pezullimit të aktivitetit në QKB, kryejnë çdo ditë dhe riaktivizim të veprimtarisë pranë sporteleve të saj dhe kalojnë nga statusi pasiv në aktiv.

Gjithashtu njoftimi bëri me dije se për periudhën Janar–Prill 2019, më shumë se 1400 tatimpagues kanë ndryshuar status nga pasiv në aktiv.

DPT njofton se, ndërveprimi midis DPT dhe QKB, mbi listën e tatimpaguesve që kanë detyrime tatimore të papaguara, tashmë bëhet në mënyrë elektronike, i përkufizuar nga këto ndryshime ligjore dhe marrëveshja e bashkëpunimit midis dy institucioneve. /e.xh/ /a.g/ATSH