Policia e Shtetit është angazhuar sot në një operacion, në të gjitha prefekturat për ndalimin e pensionistëve të dalin nga shtëpitë e tyre edhe përgjatë fashave që është e lejuar lëvizja e qytetarëve vetëm për nevoja urgjente.

Në Tiranë, Dibër, Elbasan, Durrës, Korçë, Kukës, Lezhë, Fier, Gjirokastër, forcat e policisë i kanë informuar të moshuarit se çdo shërbim që ata kanë nevojë do të jenë strukturat e bashkive që do t’ua ofrojnë dhe se nuk duhet të dalin nga banesa.

Kryeministri Edi Rama ripërsëriti lutjen e tij për pensionistët të mos dalin nga shtëpia.

“Operacioni humanitar dhe platforma ‘shqipëriaqëduam.al’, strukturat e bashkive, prefektura, Policia e Shtetit, Posta Shqiptare dhe urgjenca kombëtare janë në dispozicion të tyre”, deklaroi Kryeministri Rama.

Që në fillim të muajit kur u konfirmuan edhe personat e parë të prekur nga infeksioni COVID-19, qeveria ndërmori një sërë masash të rrepta për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

Krahas masave të tjera, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale urdhëroi pensionistët të mos dalin nga banesa, pasi janë më të rrezikuar për tu prekur nga infeksioni COVID-19.

Qeveria siguroi që pensioni të shkojë në banesë për të gjithë pensionistët në Republikën e Shqipërisë, ndërsa për ata që jetojnë vetëm, pa të afërm dhe familjet në nevojë po siguron edhe furnizimin me ushqime dhe medikamente./a.gjonaj/