Mbrëmja e djeshme e gjeti Seviljan e Spanjës me një atmosferë elektrizuese, kjo falë mbajtjes së ceremonisë së MTV European Music Awards. Ndër emrat e shumtë, pesë shqiptare në veçanti dalluan në këtë event muzikor.

Ceremonia u hap me performancën e Dua Lipës, e cila solli një spektakël ndryshe me këngën “Don’t Start Noë”. Nuk ishte e vetmja që u ngjit në skenë, pasi Ava Max solli dy këngë gjatë mbrëmjes: “Torn” dhe atë çka e bëri të famshme anë e mbarë botës, “Sweet but Psycho”. Ndryshe nga Dua, Ava ishte e nominuar për dy çmime, “Best New Artist dhe “Best Push”, e lidhur me kategorinë e fundit artistja arriti të merrte trofeun në shtëpi.

Bebe Rexha ishte e nominuar për “Best Collaboration” me këngën “Call You Mine”, por nuk arriti të fitonte çmimin. Ilira Gashi dhe Loredana ishin dy pretendente për “Best Swiss Act”, ku fituese doli Loredana. Pasi na kishte zbuluar disa ditë më parë se ndodhej në Spanjë sëbashku me Hanën, tashmë sjell një tjetër lajm të gëzueshëm si ky.

Pra, këtë vit MTV European Music Awards ka sjellë pesë shqiptare në qendër të vëmendjes, duke mos u mjaftuar vetëm me performanca e nominime, por edhe me dhurime trofesh. Mbrëmje emocionuese ajo e djeshmja. /News31.al