Kalendarit të vaksinimit në vendin tonë i është shtuar një tjetër vaksinë e re, vaksina e rotavirusit, e cila ofrohet falas për çdo fëmijë. Ky fakt është bërë i ditur nga Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu në Qendrën Shëndetësore nr. 8 në Tiranë.

“Nga 1 Tetori i këtij viti është shtuar në kalendarin e vaksinimit vaksina e re e Rotavirusit, duke përafruar kalendarin tonë të vaksinimit me kalendarin europian. Është shumë e rëndësishme sepse përmirëson shëndetin e fëmijëve tanë nga virusi I rrezikshëm i rotavirusit dhe infeksionet që vijnë prej tij. Do të përfitojnë rreth 30 fëmijë në vit”, tha Manastirliu.

Në shumicën e vendeve ku është aplikuar vaksina ndaj rotavirus janë ulur në mënyrë dramatike shtrimet në spital dhe vizitat urgjente të fëmijëve. Vaksinimi me këtë vaksinë është falas si pjesë e programit kombëtar të vaksinimit dhe fillon në datën 1 Tetor 2019, për të gjithë fëmijët e lindur që nga data 1 Gusht 2019.

Duke theksuar se me futjen e kësaj vaksine Shqipëria i përafrohet skemës së vaksinimit të vendeve Europiane si Italia, Greqia, Austria etj, Manastirliu tha se i kursehet buxhetit të familjeve shqiptare rreth 3 milion dollarë në vit.

“Shpesh prindërit e blinin këtë vaksinë me kosto të lartë, 100 dollarë por tashmë është falas për çdo fëmijë që lind”, tha Manastirliu.

Vaksina e rotavirusit jepet nga goja me 3 doza në moshat 2, 4 dhe 6 muaj. Vaksina është shpërndarë në çdo qendër shëndetësore sipas planeve të tyre të vaksinimit dhe është ritrajnuar i gjithë stafi mjekësor. Një sistem i cili monitoron sigurinë e vaksinës është vendosur në vend dhe do të vëzhgohet gjatë të gjithë kohës. Sëmundja e Rotavirusit është e zakonshme tek foshnjat dhe fëmijët e vegjël.

Rotavirusi mund të shkaktojë diarre të rëndë, të vjella, ethe dhe dhimbje barku. Disa fëmijë me sëmundje rotavirusi humbasin shumë lëngje dhe bëhen shumë të dehidratuar. Një fëmijë mund të marrë rotavirusin aksidentalisht nga një fëmijë tjetër që ka rotavirus. Kjo mund të ndodhë nëse një fëmijë vendos në gojë duart e palara ose një objekt, ushqim ose lëngje të kontaminuara. Me futjen e vaksinës së re, kalendari I vaksinimit ka 12 vaksina të detyrueshme për fëmijët.