Pianistja Vasilika Duli duket se është shembulli më i mirë i shprehjes së famshme klasike se “Arti është krijuar për t’u ndjerë, dhe jo për t’u kuptuar”.

 

Nuk është hera e parë që salla e teatrit “Skampa” pret qindra e mijëra artdashës, por recitali i pianises së verbër Vasilika Duli ishte ndryshe.

Kjo pasi Vasilika nuk luante në piano, duke lexuar në partitura, por me sytë e shpirtit.

Vasilika është shembulli i pastër që pasioni thyen çdo kufi. Ka lindur e verbër, megjithatë ky fakt asnjëherë nuk e pengoi që të ndjekë ëndrrën e saj për t’u bërë pianiste.

Për Vasilikën çdo gjë ka marrë formë dhe ngjyrë falë instrumentit të pianos, ai është kthyer në urë komunikimi mes saj dhe botës së panjohur.

Dhe pse nuk është koncerti i saj i parë recital për Vasilikën, emocionet në Elbasan janë të dyfishta, e para sepse luan për artëdashësit e saj dhe e dyta sepse të gjithë të ardhurat e këtij koncerti do të shkojnë në ndihmë të fëmijëve me aftësi të kufizuar.

Duke vlerësuar guximin e Vasilikës, besimin e saj në vetvete, Fatma Spahiu, drejtuesja e QSHINJNV, falënderoi pianisten për këtë recital, duke e cilësuar frymëzueze me atë ç’ka bën dhe për misionin fisnik që ndërmori.

Vasilika Duli vjen nga një familje Elbasanase, e cila e ka mbështetur papushin në çdo ëndërr të sajën.

Edlira XHERRI