Në datë 8 janar, pas një beteje 36 orëshe me sëmundjen misterioze nga e cila ishte prekur, 33-vjeçarja Romina Xhakoni (Myftiu) humbi jetën në spitalin e Durrësit. Ndarja e papritur nga jeta e gruas së re, nënë e një vajze 8-vjeçare ka lënë të shokuar familjarët.

Alban Myftiu, vëllai 33-vjeçares, ka treguar për portalin lokal ‘DurrësLajm’ të gjithë dinamikën e ditëve të fundit të së motrës, e cila ju shua para syve ndërsa askush nuk mund të bënte asgjë.

Albani thotë se në datë 7 janar motra nuk ishte ndjerë mirë, kishte temperaturë të lartë dhe në orën 16 e 30 minuta të pasdites e çuan në urgjencën e spitalit, ku mori ndihmën e parë. Mjeku i urgjencës kishte konstatuar paralizë faciale dhe e kishte nisur për në shtëpi, duke u thënë familjarëve të vinin të nesërmen në mëngjes tek mjekja specialiste.

Të nesërmen në mëngjes, në orën 07.30, familjarët e dërguan në spital në gjendje edhe më të rëndë. Ekipi mjekësor, i mbledhur me urgjencë, e shtroi në reanimacion. Çdo orë që kalonte e rëndonte edhe më shumë gjendjen shëndetësore të 33-vjeçares, duke i nxjerrë jashtë funksioni veshkat.

Vëllai thotë se tentoi ta dërgonte në QSUT për t’i bërë dializë, por ishte i pamundur transporti, pasi gjendja e saj ishte shumë e rëndë.

“Rreth orës 03.00 të mëngjesit tentuam transportin në Tiranë për dializë, por mjekët nuk e morën përsipër transportin e saj. Një orë më vonë, motra ndërroi jetë në reanimacion”,- rrëfen Albani.

Vëllai thotë se kërkon të dijë se çfarë e shkaktoi gjendjen e përkeqësuar të 33-vjeçares dhe vjekjen e saj.

“Pse vdiq motra në duar të mjekësve. Pse motrën e nisën për në banesë dhe të nesërmen u përkeqësua edhe më shumë e ndërroi jetë?”,- pyet Albani.

Familjarët kërkojnë të dinë se çfarë virusi i mori jetën të afërmes së tyre.