“Vendimi i Këshillit Europian për çeljen e negociatave,  nuk ka lidhje fare me çfarë kemi bërë, apo nuk kemi bërë ne”, deklaroi sot kryeministri Edi Rama.

Nga foltorja e Kuvendit, Rama tha se “nuk mendoj se Finlanda që ka edhe presidencën e BE-së qenka më pak ekzigjente dhe më tolerante ndaj krimit dhe korrupsionit se sa Holanda”.

“Nuk mendoj se Austria qenka më pak e interesuar për të pasur zgjedhje më të mira në Shqipëria, se sa Gjermania. Nuk mendoj që Suedia paska sytë e mbyllur përballë procesit të reformës në drejtësi dhe nuk i bëka përshtypje se akoma Gjykata Kushtetuese nuk është funksionale dhe kjo i bëka përshtypje Gjermanisë. Nuk funksionon kështu”, tha rama.

Ajo që diskutohet sot në vendet e BE-së lidhur me zgjerimin, sipas kryeministrit Rama, “është një debat brenda BE-së”. “Nuk besoj se Franca qenka më larg në këndvështrimin e saj ndaj të gjitha çështjeve ndaj të cilave Gjermania është më afër, për arsye të standardeve të tjera. Përkundrazi, ndaj nuk duhet ta mohojnë, jo më pastaj ta transformojnë në shashkë për politikë të brendshme, se kjo qëndron tek një situatë në BE, që s’ka lidhje fare me ne dhe ku ne përfshihemi bashkë me Maqedoninë e Veriut, Serbinë, e Malin e Zi, Kosovën e Bosnjen, me të gjitha vendet brenda Europës dhe jo në BE, si rrjedhojë e jo si burim, si pasojë e jo si shkak”, tha Rama.j.p/