Vendimi/ RTSH mësime për gjuhën shqipe për fëmijët e diasporës
Vendimi/ RTSH mësime për gjuhën shqipe për fëmijët e diasporës

Qeveria ka miratuar një vendim për prodhimin, transmetimin dhe financimin e emisioneve të posaçme televizive, arsimore dhe kulturore, të dedikuara për diasporën.

Në vendimin e marrë në mbledhjen e sotme të qeverisë (14 nëntor), Televizioni Publik ngarkohet për mësimin e gjuhës shqipe dhe kulturën shqiptare për diasporën si pjesë të programit “RTSH 3”.

“Përmbajtja e programeve të emisionit të posaçëm televiziv për mësimin e gjuhës shqipe do t’u kushtohet interesave të arsimimit për komunitetet shqiptare jashtë vendit, sipas kurrikulës së përbashkët të realizuar për këtë qëllim, në bazë të marrëveshjes me qeverinë e Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim.

Platforma e programeve të emisioneve të posaçme për mësimin e gjuhës shqipe, kulturën shqiptare dhe identitetin kombëtar të përgatitet nga një grup pune ndërinstitucional, që ngrihet me urdhër të Kryeministrit, me përfaqësues të ministrive përgjegjëse për arsimin, kulturën dhe diasporën.

Transmetimet e programeve të miratuara do të inkurajojnë mësimdhënien on-line dhe, pas transmetimit periodik në “RTSH 3”, do të vihen në dispozicion të publikut të interesuar pa pagesë.

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Kulturës dhe ministri i Shtetit për Diasporën, brenda fushës së tyre të përgjegjësisë, në bashkëpunim me Radiotelevizionin Shqiptar, të marrin masat e nevojshme për realizimin e emisioneve të posaçme dhe transmetimin e tyre, duke filluar nga viti i ri mësimor 2019-2020.

/Ora News.tv