Komisioni i Venecias publikoi dje raportin final për çështjen e shkarkimit të presidentit të vendit, Ilir Meta. Komisioni i Venecias, në konkluzionet përfundimtare, shkuan se presidenti tejkaloi kompetencat, por nuk mjafton për shkarkimin e tij. Në ndryshim nga raporti paraprak, ku Komisioni i Venecias shkruante se Meta ka shkelur Kushtetuesen, në raportin përfundimtar, ky term është hequr. Ndërsa, lidhur me vendimin nëse presidenti Ilir Meta do të shkarkohet nga detyra, sipas Komisionit të Venecias, këtë do ta vendosë Gjykata Kushtetuese dhe Kuvendi. Këto dy institucione, referuar raportit, do të vendosin nëse anulimi ose shtyrja e zgjedhjeve, përbën një shkelje të rëndë të Kushtetueses. “Varet nga Kuvendi dhe në fund Gjykata Kushtetuese për të përcaktuar nëse anulimi apo shtyrja e zgjedhjeve lokale do të thotë shkelje e Kushtetutës dhe nëse shkelja është serioze, e cila do të lejonte shkarkimin e Presidentit”, shkruhet në raportin e Venecias. Më tej shtohet se tejkalimi i kompetencat nuk mund të çojnë deri në shkarkimin e presidentit. “Megjithëse presidenti mund të ketë tejkaluar kompetencat e tij kushtetuese, duke anuluar dhe shtyrë zgjedhjet lokale, përtej mandatit zgjedhor të autoriteteve lokale, pa një bazë të veçantë ligjore – këto akte, mund të mos plotësojnë kriteret e kërkuara, për të fajësuar presidentin”, shkruhet në konkluzionet.

Konkluzionet e Venecias
Komisioni i Venecias, në raportin përfundimtar për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, ka shkruar se presidenti, në mungesë të një dispozite ligjore, mund të anulojë zgjedhjet vetëm për organet e qeverisjes vendore në një situatë emergjente, duke shtuar se edhe atëherë, presidentit të vendit i duhet një bazë ligjore ad hoc (e posaçme) për të shtyrë zgjedhjet. “Në përgjigje të kërkesës për shprehjen e mendimit nga Komisioni i Venecias, bërë nga presidenti Meta, Komisioni i Venecias konkludon se, në mungesë të një dispozite ligjore mbi këtë temë, presidenti mund të anulojë zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore vetëm në një situatë që kërkon miratimin e masave emergjente. Edhe atëherë presidentit i duhet një bazë ligjore specifike për shtyrjen e zgjedhjeve”, shkruhet në pikën 94 të raportit. Ndërsa, në pikën 95, lidhur me pikën më lartë, shkruhet se anulimi i zgjedhjeve është i mundur vetëm në situata që plotësojnë kërkesën e deklarimit të një emergjence shtetërore. “Ky përfundim mbështetet nga rregulli i përgjithshëm interpretues, sipas të cilit është shprehur në Kushtetutë rregullimi i kompetencave në rastet e emergjencës dhe ligjeve që kufizojnë përdorimin e ndonjë fuqie tjetër plotësuese që nuk janë shkruar për situatat shumë të jashtëzakonshme; kryesisht në situata të pamundësisë faktike ose juridike që nuk janë parashikuar në mënyrë të qartë nga ligji me shkrim i emergjencave. Anulimi i zgjedhjeve është i mundur vetëm në situata që plotësojnë kërkesën e deklarimit të një emergjence shtetërore”, shkruhet në konkluzionet përfundimtare, ndërsa shton po në këtë paragraf se rregullat kushtetuese të zbatueshme për situata emergjente, nuk janë ndjekur në këtë rast, dhe se as nuk ka patur një konsensus politik që do ta lejonte krijimin e një baze ligjore ad hoc.

Ornela Çelpica

/Agjensia e Lajmeve Sot News/