Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi dje në detyrë gjyqtaren e Krimeve të Rënda, Iliriana Olldashi. Gjyqtarja e hetuar për të tre kriteret e rivlerësimit, doli e pastër në seancën dëgjimore të mbajtur të hënën e 2 dhjetorit. Gjatë relatimit, KPK për pasurinë apartament në Tiranë, të blerë për 65 mijë euro tha se subjekti ka deklaruar burim krijimi hua të marra nga babai dhe vëllai. Relatorja shtoi se për këtë deklaratë, Olldashi ka dorëzuar dokumente provuese për burimet e tyre financiare. Problem u konstatua në deklarimin e gjendjes cash të krijuar deri më 31 dhjetor të 2005. Në seancë, relatorja tha se subjekti për këtë ka sjellë dokumente të mjaftueshme për burimin e huas 1 milion lekë të marrë prej prindërve, hua e cila më pas i është falur nga prindërit, ndërkohë që gjyqtarja ka hequr dorë nga pjesa e pronësisë në apartamentin e blerë 77 m2 të blerë në vitin 2006. Për pasurinë auto-veturë, blerë nga bashkëshorti në vlerën 2500 euro, KPK bëri me dije se deklarimet e subjektit përputhen me dokumentet e servirura nga institucionet shtetërore. Lidhur me kriterin e pastërtisë së figurës, DSIK ka dorëzuar një raport pozitiv. Po i njëjti përfundim ka ardhur edhe për kriterin e profesionalizmit. Sipas raportit të KLGJ, Olldashi ka aftësi të mira në interpretimin e ligjit , dosjet janë gjetur të rregullta e të sakta dhe se komunikon me etikë. Në emër të saj kanë ardhur dy denoncime, që sipas KPK kanë rezultuar pa elemente të mjaftueshme.

Dollapaj në KPA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit dje zhvilloi një seancë për prokurorin e Shkodrës Arben Dollapaj, seancë e cila u nis me kërkesë të Komisionerit Publik, pasi ankimoi vendimin që KPK mori për Dollapajn në gusht të 2018. Në seancën e të mërkurës, Komisioneri Publik i kërkoi Kolegjit të Apelimit të çelë një hetim të plotë e të gjithanshëm prokurorin Dollapaj. Në fjalën e tij, Komisioneri Publik tha se Dollapaj ka tri pasuri të paluajtshme, duke kërkuar hetim më të thelluar për dy banesat, atë në Valbonë dhe ajo në Selitë. Më tej, Komisioneri tha se KPK nuk ka kryer hetim të thelluar për prokurorin, duke shtuar se në emër të subjektit kanë ardhur ankesa nga publiku, pasi u konfirmua në detyrë. Nga ana tjetër, prokurori Dollapaj paraqiti dokumente të reja pranë trupës gjykuese të KPA-së. Prokurori gjithashtu paraqiti prapësimet e tij lidhur me shkaqet e ankimit dhe i kërkoi trupit gjykues të marrë në cilësinë e provës dokumentet e reja në përgjigje të shkaqeve të ankimit të Komisionerit Publik. Pas parashtrimeve të palëve, trupa gjykuese caktoi datën 16 dhjetor për seancën e radhës, ku do të japë një përgjigje për Komisionerin Publik, mbi formën dhe vlerën provuese të akteve të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit. Në nëntor të 2018, Komisioneri Publik pasi mori dy denoncime sa i përket pasurive të prokurorit Arben Dollapaj, apeloi vendimin e KPK-së. “Komisioneri Publik, konstaton se procesi i hetimit i Komisionit, për të tre kriteret e rivlerësimit ka mangësi dhe për rrjedhojë në gjendjen që janë aktet nuk mund të konkludohet se subjekti i rivlerësimit është në kushtet e parashikuara nga neni 59, pika 1, e ligjit nr.84/2016”, thuhet në ankimin e Komisionerit. Probleme janë gjetur vetëm në kriterin e pasurisë, ndërkohë, në dy kriteret e tjera prokurori Dollapaj doli i pastër.

Ornela Çelpica

/Agjensia e Lajmeve Sot News/