Pavarësisht qëndrimit të Presidentit, Misioni i Vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it në vendin tonë, po vijon normalisht punën e tij për vëzhgimin e zgjedhjeve. Kjo do të thotë se OSBE/ODIHR, dy organizatat që certifikojnë procesin zgjedhor në Shqipëri, e njohin datën 30 qershor si ditë zgjedhjesh në vendin tonë.

Pas regjistrimit edhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e 30 qershorit, vëzhguesit e OSBE/ODIHR kanë vijuar takimet e tyre me kandidatët për bashkitë.

Ndonëse, na ndajnë edhe pesë ditë nga data e zgjedhjeve, OSBE/ODIHR ka sjellë qindra vëzhgues afatshkurtër për të vëzhguar zgjedhjet, që do të thotë se misioni i cilëson zgjedhjet e 30 qershorit si zgjedhje normale.

Si në çdo palë zgjedhje të mëparshme, OSBE/ODIHR po ndjekin të njëjtën praktikë.

Ndërkaq, vëzhgues të misionit të OSBE/ODIHR, të drejtuar nga Audry Glover u takuan sot me kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili kandidon në këto zgjedhje për një mandat të dytë.

“I lumtur që prita në një takim Amb. Audrey Glover, e cila drejton Misionin e Vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet e 30 qershorit në Shqipëri! Pas vëzhguesve afatgjatë tashmë të akredituar, presim që qindra vëzhgues të tjerë afatshkurtër të mbulojnë Tiranën dhe 60 bashki të tjera përgjatë fundjavës”, shprehet Veliaj. /a.g/