Sipërmarrjet në plazhin e “Qerretit”, pjesë e bregdetit të Kavajës kanë zaptuar hapësirat publike, duke lënë qytetarët e ditorë, por dhe banorët e zonës pa hapësira të lira për të vendosur çadrën e tyre, ose në rastin më të mirë duke i aneksuar ato në zonën e pishave, shumë metra larg bregut të detit.

Gjatë një vëzhgimi të Agjencisë Telegrafike Shqiptare, qytetarët shprehën revoltën e tyre ndaj “arrogancës” së sipërmarrësve, ndërsa kërkuan më shumë vëmendje nga autoritetet përgjegjëse lokale.

Një banorë i zonës, i cili jetonte në Bruksel dhe kishte ardhur për pushime, theksoi se hapësira e lirë publike nuk respektohet nga sipërmarrësit.

“Me keqardhje e themi që nuk respektohen rregullat dhe normat që janë të vendosura e të shkruajtura. Si distancë nga vija e bregut të detit, deri te vija e parë e çadrave, që sipas ligjit duhet të jetë 7,5 metra. Po ashtu, tha zotëria, nuk respektohet edhe distanca mes çadrave. Nuk kemi parë një ekip që të vijë të kontrollojë këto gjëra, ti survejojë, të marrë masa, ky është një shqetësim”, tha ai për ATSH.

“Kam ardhur me miqtë të mi nga Brukseli dhe kemi vlerësuar se ushqimi është shumë i mirë, natyra është e shkëlqyer, çdo gjë funksionon shumë mirë, por këto dy pika, respektimi normave të distancave dhe pastërtia në plazhe lënë për të dëshiruar”, tha më tej ai.

Një qytetare tjetër, u shpreh se nuk ka informacion se ku mbaron private dhe ku nis zona e plazhit publik. “Ne jemi vendosur këtu pas privatit, pasi dhe nuk kemi informacion të saktë se ku mbaron zona publike nga ajo private. Duhet të ishte e ndarë më saktë kjo gjë. Plazhi dhe koha janë shumë mirë, por shërbimet duhet të jenë edhe më mirë”, saktësojë ajo.

Po ashtu një zonjë pak më tutje tha se nuk ka ku të qëndrojë. “Këtu vijmë çdo ditë për nga tre muaj, s’kemi vend ku të rrimë. I kanë marrë privatët e i kanë zaptuar të gjitha hapësirat. Ne qëndrojmë këtu te privati, se s’kemi vend ku të vendosim çadrën tonë”, tha ajo.

“Po qe për zona publike, në këtë territor nuk ka fare, i ka zaptuar privati. Ne jemi në aneks, pas këtyre që kanë zënë privatët, qëndrojmë në aneks. Askush nuk vendos dot çadër private buzë të detit. Komplet bregdeti është privat, në të gjithë zonën e Qerretit”, tha zotëria më tutje, teksa ndërhyn edhe miku i tij. “Kemi dhe një vërejtje krahas kësaj që thotë ky shoku, se këtu ka shumë mushkonja, bashkia duhet t’i spërkasë. Ne kemi bërë ankesë disa herë, por më kot”, tha ai.

Të shumtë ishin dhe ato qytetarë që shprehën shqetësimin për mungesën e zonave për publikun. “Nuk ka farë hapësira publike”, theksoi një zonjë, e cila kishte paguar shtretër plazhi te zona private.

“Këtu janë të gjithë privat, bizneset kanë zaptuar tokën këtu, janë të gjithë privat. Këtu veç atyre që kanë shtëpitë, mund të ketë dhe banorë nga Kavaja apo nga zona të tjera”, tha një zotëri, që ishte me çadrën personale në zonën e pishave, pas shtretërve të vendosur nga privati.

“Ne jemi këtu pas privatit, jemi të aneksuar, këtu nga pjesa e rërës te pisha na është lënë ne…”, tha një kryefamiljar më pas.

Klesta Xhaferri, administrator e një sipërmarrje në këtë zonë, u shpreh për ATSH se nga biznesi që ajo përfaqëson respektohet kontrata me bashkinë e Kavajës. “Kemi fluks turistësh nga e gjithë bota, si nga vendet nordike, po ashtu dhe pushues nga Kosova, Maqedonia, por edhe të vendit tonë. Kemi marrë masa, ti përgjigjemi në kohë në cilësi dhe e siguri qytetarëve dhe zonës, duke zbatuar të gjithë rregullat dhe pritshmëritë, si nga ana e rojeve të plazhit në kullat respective të vrojtimit ashtu dhe nga ana e dezinfektimit”, tha Xhaferri. /e.xh/ /a.g/

Qytetarët pa hapësirë publike në Qerret: Privatët kanë zaptuar gjithë bregdetin, të ndërhyjnë autoritetet

Qytetarët pa hapësirë publike në Qerret: Privatët kanë zaptuar gjithë bregdetin, të ndërhyjnë autoritetethttp://ata.gov.al/2019/07/12/qytetaret-pa-hapesire-publike-ne-qerret-privatet-kane-zaptuar-gjithe-bregdetin-te-nderhyjne-autoritetet/Gjatë një vëzhgimi të Agjencisë Telegrafike Shqiptare, qytetarët shprehën revoltën e tyre ndaj “arrogancës” së sipërmarrësve, ndërsa kërkuan më shumë vëmendje nga autoritetet përgjegjëse lokale. "I kanë marrë privatët e i kanë zaptuar të gjitha hapësirat. Ne qëndrojmë këtu te privati, se s’kemi vend ku të vendosim çadrën tonë”, shprehen pushuesit.

Gepostet von Agjencia Telegrafike Shqiptare am Freitag, 12. Juli 2019