“Kaos i qetë”nga Sandro Veronesi.

Ky roman i heq maskat e njerëzve në përditshmëri. Autori të gllabëron që në faqet e para të historisë së personazhit, Pietro Paladini, i cili pasi humbet gruan, nis të vëzhgojë në thellësi jetën dhe përditshmërinë e vajzës së tij. Nëse në pamje të parë libri duket një melodramë, romani përfundon në një dramë qesharake, përmes mjeshtrisë së rrëfimit dhe detajeve që vijnë në këtë histori.Pietro Paladini, 43-vjeçari joshës dhe i pasur, që sapo ka humbur gruan e tij, pret çdo ditë, i çorientuar, brenda makinës së tij, vajzën e vet, Klaudian, teksa del nga shkolla.Ditën që do të duhej të bënin celebrimin e martesës, Lara, e shoqja, vdes. Miqtë, por edhe njerëz anonimë, shkojnë të flasin me të, e përqafojnë, ndajnë me të këtë kohë të pezullt, këtë “kaos të qetë” ku ai tashmë ka gjetur strehë.

 

Jemi në Napoli, në fillim të shekullit XX. Midis Roza Avilianos, lindur dhe rritur në bodrumet e shtresave më të ulëta, dhe fisnikes Jozefa Paraviçini, gruaja e palumtur e princ Enrik Kastilias, lind një lidhje e fuqishme që, përtej dallimeve sociale, do t’i bashkojë për gjithë jetën. Përmes ngjarjeve të jetuara, shenjuar nga tragjedi dhe pasione, pasqyrohen dramat dhe vështirësitë e shekullit të kaluar në një afresk të fuqishëm dhe realist të një epoke. I dominuar nga dy figura të jashtëzakonshme femërore, ky është një roman që shpërthen me forcë ndjenja dhe ideale.

Nga Sveva Casati Modignani“Rrugica Dukeska”.

 

“Mosha e pafajsisë” nga Edith Wharton.

Fitues i çmimit të parë “Pulitzer” për një shkrimtare (1921), ky libër përshkruan gjallërisht dramën e një njeriu të përçarë midis pasionit të tij dhe nderit, familjes e presionit shoqëror. Historia përqendrohet rreth jetës së një çifti të sapofejuar të shoqërisë së lartë njujorkeze. Një grua e re dhe e bukur, por e damkosur nga një skandal bashkëshortor, hyn në jetën e tyre. Lumturia e çiftit “të përkryer në sytë e të gjithëve”, fillon të lëkundet. Historia është bashkëkohore në kritikën ndaj moralit të rremë dhe strukturës shoqërore të ngurtë tipike të elitave kudo. Titulli ironizon mirësjelljen e qelibartë të shoqërisë së lartë, të krahasuar me intrigat e brendshme të saj.

“Dashnorë dhe kumarxhinj” i autores Jackie Collins është një libër që ka lënë shenjë. Libri ka dy nga personazhet më të paharruar të krijuar nga shkrimtarja e njohur:Al King dhe Dallas, mbretëresha e bukurisë, ambiciet e së cilës rrjedhin nga një sekret i pistë, nga ata që tabloidët i ndjekin. Së bashku, ata do të nisen në një udhëtim nga Londra në Nju Jork, nga Hollivudi në Rio dhe në xhunglën e Amazonës, ku të gjitha ëndrrat dhe makthet e tyre janë gati të bëhen realitet.

Edisona SKENDERI