Zyrat e aplikimit për kartat e identitetit apo pasaportave biometrike janë të hapura dhe të shtunën, si dhe në ditët e festave.

Zv/Ministrja e Brendshme, Rovena Voda inspektoi të premten zyrën e re të aplikimeve për dokumente biometrike në Bashkinë e Vlorës. Gjatë inspektimit, ajo shoqërohej nga Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj dhe autoritetet lokale

Gjatë prononcimit për mediat, Voda theksoi se këto zyra do të jenë të hapura dhe të shtunën, por dhe gjatë ditës së festave. “Qytetarë, ditën e shtunë, zyrat e aplikimit të “Aleat” janë të hapura, por edhe ditën e hënë, e theksoj edhe njëherë, në të gjitha qytetet e mëdha, edhe pse është një ditë feste zyrtare të gjithë mund të shkojnë të aplikojnë për pasaporta dhe karta identiteti”, bëri thirrje zv/Ministrja.

Ajo bëri të ditur se numri aplikimeve në Korrik ka qenë tejet i lartë . “Në fakt nga 1 milion e 400 mijë aplikues në total për karta të reja identiteti, në korrik, ne kemi pasur 500 mijë qytetarë që kanë aplikuar, 900 mijë ende pa aplikuar. Po flas për korrikun, por në fakt gushti ka qenë një bum i vërtetë. Fluksi ka qenë shumë i madh dhe statistikat në fund të muajit ne do t’i bëjmë të ditura, por ende fluksi mbetet i lartë”, theksoi Voda.

“Sot jemi në Vlorë, në zyrën e re të aplikimit, e cila është një zyrë që i përmbush standardet maksimale për të ofruar një shërbim shumë të mirë për qytetarët. Me sa u informova, këtu kemi një zyrë me 12 operatorë, pra kemi 12 poste aplikimi ku qytetarët mund të aplikojnë për karta identiteti dhe pasaporta biometrike, kemi sigurisht edhe punonjësin e Gjendjes Civile i cili bën verifikimin nëpërmjet lidhjes me Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile”, shtoi zv/Ministrja.

Sipas saj, “Njerëzit për 2-3 minuta mund të mbarojnë punë, duke qenë se qyteti i Vlorës është një qytet, i cili ka shumë emigrantë dhe shumë prej tyre kthehen dhe aplikojnë në një bashkëpunim shumë të mirë me Gjendjen Civile, me kompaninë Aleat, por edhe me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë”.

“Saranda ka pasur një fluks të shtuar dhe ne jemi në një bashkëbisedim me kryetarin e bashkisë. Mos të harrojmë të themi që në fakt kryebashkiakët tashmë i kemi të rinj. Sigurisht që urojmë edhe punë të mbarë, por një nga detyrat e tyre kryesore sigurisht është edhe ofrimi i shërbimit për qytetarët”, tha Voda.

“Janë gjendur dy ambiente. Unë sot mund të ndaj me ju pikërisht këtë lajm, kemi identifikuar dy ambiente ku mund të hapim zyra të reja dhe unë besoj që brenda javës që vjen me gjithë angazhimin e Ministrisë së Brendshme por edhe të Kompanisë, ne do të mund të zgjidhim edhe situatën në qytetin e Sarandës”, nënvizoi Voda.

“Unë në fakt do t’iu bëja thirrje qytetarëve të cilëve u ka skaduar, kanë qenë të parët në fashën e atyre që ju ka skaduar afati për karta identiteti dhe pasaporta biometrike. U bëj thirrje atyre sepse ata duhet të jenë të parët që duhet të vijnë dhe të aplikojnë, sepse shumë shpejt Ministrit e Brendshme, ne do të krijojmë dhe një plan pune, ku do t’i ndajmë me fasha, pra sipas periudhave të aplikimit dhe sigurisht që do të jenë të kufizuar në aplikime. Kështu që unë do t’iu lutesha atyre që tashmë ju ka skaduar kohë më përpara të vijnë sa më parë dhe të aplikojnë”, përfundoi zv/ministrja Voda.