Një grup i strukturuar grabitësish, drejtuar nga një shqiptar, është goditur nga policia e Francës.

Mendohet se ata kishin kryer mbi 400 grabitje, ndërkohë që së fundmi kishin vjedhur rreth 50 kg ar, i cili në treg vlen miliona euro.

Në mars të vitit 2019, hetuesit e Versajës vunë re një rritje të vjedhjeve në disa zona. Vjedhjet bëheshin sistematikisht në muzg, kur pronarët nuk janë kthyer ende në shtëpi.

Një ekip hajdutësh nga Shqipëria u vunë në shënjestër dhe në gjurmim të shpejtë.

Gjurmimi i çoi hetuesit në një lokal në zonën 20 të Parisit, ku xhandarët zbuluan një të njohur të vjetër: një shqiptar rreth 50 vjeç, i arrestuar në vitin 2012 për vjedhje.

“Ka pasur bashkëpunim të mirë me autoritetet shqiptare,” tha një burim i afërt me hetimin, citon “Le Parisien”.

“Ata na lejuan të kuptojmë se burri kishte akoma lidhje lokale me grupe hajdutësh. Dhe tani është ai që urdhëron, që sjell hajdutë në Paris dhe Seine-et-Marne për disa javë ku kryejnë sulme në shtëpi të pasura. Skenari është identik: hajdutët nuk duan TV ose kompjuter, ata synojnë vetëm para dhe bizhuteri, veçanërisht ari”.

Hetuesit e seksionit të kërkimit të Versajës më pas kuptuan se shënjestra e tyre kryesore, kreu i grupit, zhvillonte shumë udhëtime në Antwerp, në Belgjikë, për të shkrirë çdo herë të paktën një kilogram ar (përafërsisht 45,000 euro).

Më 5 shkurt 2020, hetuesit francezë mësuan se ishte planifikuar një udhëtim i ri në Belgjikë. 50 policë belgë dhe njëqind xhandarë nisën aksionin. Në Paris dhe Seine-et-Marne, arrestohen katër shqiptarë.

Xhandarët zbuluan më shumë se 50 kilogram ar dhe 11,000 euro para.