Vijon operacioni “Informaliteti” për goditjen e veprimtarisë së paligjshme në fushat e krimit ekonomik, evazionin fiskal dhe falsifikimin e dokumenteve.

Operacioni pas një hetimi 1 vjeçar, zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan.

Vihet në pranga një shtetas për disa vepra penale.

Sekuestro preventive edhe aksioneve që ky shtetas kishte në kompaninë ku ishte ortak.

Në vijim të zbatimit të planit të masave kundër informalitetit financiar dhe në kuadër të hetimit të procedimit penal të regjistruar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprat penale “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Shpërdorim kompetencave” , ka vijuar operacioni policor i koduar “Informaliteti”

Si rezultat, u bë ekzekutimi i Vendimit Penal të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan e cila më datë 03.12.2019 kishte vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” në mungesë për shtetasin A. X., lindur dhe banues në Cërrik ,Elbasan.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas është administrator i një shoqërie aksionere dhe ka falsifikuar dokumente të shoqërisë duke vjedhur të ardhurat e kësaj shoqërie në dëm të ortakëve të tjerë.

Po me vendim të Gjykatës është vendosur sekuestro preventive e aksioneve që ky shtetas kishte në këtë kompani, sekuestro kjo e ekzekutuar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan

Policia e Elbasanit është e angazhuar maksimalisht për të zbuluar dhe ndëshkuar cilindo që kryen veprimtari të paligjshme dhe në këtë kuadër fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 apo në Komisariatin Dixhital çdo rast paligjshmërie, duke ju garantuar anonimat të plotë dhe një reagim të shpejtë dhe të paanshëm.