Ditën e djeshme kanë dalë përpara gjykatës dy të rinjt e akuzuar për vrasjen e Florian Selimit. Gjykata e Fierit pasi u njoh me aktet e sjella nga Prokuroria ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, ndaj dy të rinjve. 20-vjeçari Kiri Menica dhe 26-vjeçari Sadri Sealaci do të qëndrojnë prapa hekurave deri në përfundim të hetimeve. Dy të rinjtë kanë mohuar akuzat, duke mos pranuar që janë ata autorët e krimit të rëndë që tronditi mbarë opinioni publik mëngjesin e së hënës. Masa e sigurisë është dhënë nga gjyqtari Ergys Selmani, masë e cila është kërkuar edhe nga prokurori i çështjes Hysen Ajsllari. Sipas prokurorisë konfliktet e vjetra dyshohet se kanë qenë shkaku i vrasjes së 23- vjeçarit Florian Selimi në Fier. Nga hetimet paraprake, grupi hetimor ka dalë në përfundimin se mes të rinjve ka pasur një përplasje së fundi, e nxitur edhe nga një incident i disa viteve më parë kur një i afërm i viktimës kishte pasur me vëllanë e një prej të arrestuarve. Florian Selimi u gjet i pajetë në një kanal në rrugë, pranë fshatit Hamil. Policia konstatoi se ai ishte goditur me thikë dhe si pasojë kishte humbur jetën. Trupi i të riut u gjet mëngjesin e së hënës nga kalimtarët që kanë lajmëruar menjëherë policinë. Ndërsa pas hetimeve të së shkuarës është arritur të zbardhet ngjarja duke vënë në pranga të dyshuarit. Selimi i lindur në Tropojë ishte shpërngulur para një muaji me banim në Fier. Viktima ishte një emër i njohur për policinë, katër vite më parë, kur ishte 19 vjeç, Selimi, lindur në Tropojë, banues në Sulaj, u ndalua nga policia, pasi kishte djegur një fugon që kishte vjedhur, me qëllim për të humbur gjurmët. Vjedhja e fugonit Benz ishte bërë në 7 janar 2015 në lagjen “Mbrostar Ferko” të Fierit. Dy të dyshuarit akuzohen për veprat penale “Vrasje me dashje” e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

Ngjarja

Fshati Sulaj do të tronditej mëngjesin e së hënës, ku pranë një kanali në kthesën e Hamilit do të gjendej një trupi i pajetë i 23-vjeçarit Florjan Selimi. Viktima ishte me origjinë nga Tropoja dhe prej disa vitesh jetonte në Fier. Ndërkohë, pranë kanalit ku u gjet trupi i pajetë, ndodhej një makinë. 23-vjeçari, Florian Selimi, dyshohet se u vra gjatë orëve të natës, pak pas mesnate dhe pasi u vra, u hodh nga autorët në një kanal në anë të rrugës së Hamilit. Vetë Policia ka dyshime se i riu është konfliktuar fizikisht me autorët, ndërkohë që ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga goditjet me thikë. Goditja ka qenë në zonën e barkut dhe i ka dëmtuar të gjitha organet jetësore. Fakti që ngjarja ka ndodhur natën, ka bërë që i riu të ketë kaluar dhimbje të rënda për disa orë, kjo pasi në atë rrugë nuk ka kaluar askush që të mund t’i ofronte ndihmën e parë. Sipas mjekëve, nëse do të ishte paraqitur në kohë në spital, edhe mund të ishte shpëtuar nga vdekja. Trupi është gjetur i ftohtë, pasi kishte humbur shumë gjak. Ndërkohë, pranë kanalit ku u gjet trupi i pajetë, është gjetur një makinë tip “Renault” me targa AA 641 EN, me kofano të hapur dhe një gomë të hequr, ç’ka i bërë hetuesit të dyshojnë se i riu ka pasur probleme me automjetin. Nuk dihet ende nëse mjeti ishte i tij apo i vjedhur dhe Policia po heton për këtë fakt. “Rreth orës 07:00, në vendin e quajtur “Kthesa e Hamilit” është gjetur pa shenja jete shtetasi F. S, 23 vjeç. Nga veprimet e para hetimore, dyshohet se 23-vjeçari ka ndërruar jetë si pasojë e plagës së marrë nga goditja me një mjet të mprehtë (thikë), dyshohet gjatë një konflikti”, tha zyrtarisht Policia mëngjesin e së hënës, në lidhje me këtë ngjarje të rëndë.

Elvis MYRTA