Kur kanë kaluar katër ditë nga atentati mafioz që tronditi Rrëshenin mesditën e së hënës, grupi hetimor është duke punuar intensivisht për zbuluar vrasësit e Armando Gjinit. Nga gjakmarrja, tek borxhet dhe prishja e pazareve të drogës janë tre pistat kryesore që hetuesit kanë ngritur dhe po punojnë për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. E kaluara e errët e 48-vjeçarit ua ka bërë më shumë të vështirë punën autoriteteve për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve. Një ndër pistat e ngritura është ajo e gjakmarrjes, pasi familja e Gjinit është përfshirë në një konflikt të përgjakshëm shumë vite më parë. Por, nisur nga mënyra e ekzekutimit, e cila i ngjan stilit mafioz, hetuesit thonë se ka pak gjasa që të bëhet fjalë për hakmarrje. Pista kryesore e ngritur nga hetuesit është ajo e prishjes së pazareve të drogës dhe e kaluara e viktimës në Belgjikë, ku dyshohet se ai është marrë me punë të pista. Gjithashtu burime nga grupi hetimor që po punojnë për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje kanë marrë në konsideratë edhe një pistë të tretë, e cila ka të bëjë me dyshimet e vrasjes për shkak të borxheve. Hetuesit pritet që në ditët e ardhshme të marrin në pyetje familjarë të viktimës, për të mësuar më shumë mbi shkaqet që çuan në vrasjen e Armando Gjinit. 48-vjeçari njihej si pjesë e grupit të Met Kananit. Vrasja e tij dyshohet se është bërë nga njerëz me pagesë, profesionistë në këtë fushë. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, si dhe specialistë të hetimit nga Drejtoria e Përgjithshme, shkuan në Rrëshen në mbështetje të kolegëve të tyre, që po punojnë për zbardhjen e ngjarjes së rëndë. Nga mënyra se si kanë vepruar autorët e krimit, Policia dhe Prokuroria kanë ngritur dyshime se bëhet fjalë për vrasës me pagesë. Pasi e lanë të vdekur në vend babanë e dy fëmijëve, ata dogjën automjetin në periferi të Rrëshenit për të zhdukur çdo gjurmë. Hetuesit po punojnë për të rindërtuar itinerarin që ka ndjekur me makinë 48-vjeçari para se të ndalonte para një dyqani, ku bashkëshortja e tij zbriti për të blerë ushqime për drekë.

48-vjeçari u ekzekutua nga 2 persona

Sipas hetimeve dhe kamerave të sigurisë, mësohet se në atentatin e Armando Gjinit morën pjesë dy persona. Hetuesit kanë sekuestruar kamerat e sigurisë të objekteve pranë vendit ku u vra Armando Gjini, në qendër të qytetit të Rrëshenit. Në pamjet filmike dallohen dy autorët e maskuar brenda makinës, me të cilën i zunë pritë 48-vjeçarit dhe e vranë. Hetuesit kanë zbuluar pamjet e makinës, momentin kur i bëri pritë Armando Gjinit, por jo plotësisht portretin e vrasësve. Në filmimet e kamerave të sigurisë të objekteve rreth vendit të ngjarjes, shikohen dy autorë të maskuar, njeri në timon dhe tjetri që ka qëlluar. Ata duket se ishin në dijeni të kamerave, ndaj pozicioni që ata kanë mbajtur kur kryen atentatin është me kurriz. Por megjithatë burime nga grupi hetimor bënë me dije, se janë duke analizuar me detaje për të siguruar pamje të qarta për vrasësit të cilët dyshohet se janë paguar. 48-vjeçari Armando Gjini u qëllua me breshëri plumbash në qendër të Rrëshenit, sapo kishte ndaluar makinën nga ku kishin zbritur fëmijët dhe gruaja e tij. Atentatorët e dogjën mjetin në dalje të qytetit dhe janë larguar me një tjetër makinë. Tre muaj më parë, viktimës Gjini i vendosën tritol në makinë, që shpërtheu pasi ai ishte larguar për të dërguar fëmijët në shkollë. Armando Gjini u arrestua me 12 maj 2018 si pjesë e grupit të baronit të drogës, Met Kanani. Në kuadër të operacionit ‘Precizioni’, Gjini u arrestua së bashku me 37 persona të tjerë dhe u sekuestruan 8 tonë drogë. Por 4 ditë pas arrestimit Gjini u lirua nga burgu. Met Kanani njihet nga mediat turke si “Eskobari shqiptar” për shkak të famës që mori në Turqi, si koka trafikut të heroinës dhe kokainës. Nga operacionet e zhvilluara më herët edhe në Itali, Greqi, Turqi e Shqipëri, bandës i janë sekuestruar mbi 8.4 tonë kanabis, me vlerë tregu 10 milionë euro.

Elvis MYRTA