Gjykata e Krimeve të Rënda ka dënuar me burgim të përjetshëm Fatjon Karameshtnën, i akuzuar si vrasësi i Suela Sulës, me porosi të bashkëshortit të saj, Sadedin Sula. Gjykata e ka gjetur fajtor 36-vjeçarin, i cili sipas akuzës është personi që ka mbytur me duar nënën e tre fëmijëve në tualetin e mobilierisë së familjes Sula në Shkodër në Prill të 2016. Nga analizat e ADN-së u provua se Karameshtna është autor i ngjarjes së rëndë. Mbetjet e gjetura në thonjtë e viktimës janë krahasuar me ato të 36-vjeçarit dhe përputhen plotësisht. Vrasja e 35-vjeçares, u urdhërua nga bashkëshorti i saj pasi ai kishte dyshime se bashkëshortja e tradhtonte. Karameshta, në rolin e ekzekutuesit, është shtyrë nga përfitimet materiale që do të merrte. Gjatë një hetimi i cili është shtrirë në një kohë prej 2 vitesh, janë zbardhur dëshmi të rënda të fëmijëve të çiftit, audio përgjime të rastësishme, letra ku Suela Sula shkruante për periudhën e keqe që po kalonte, duke pasur shpresë se një ditë çdo gjë do të zgjidhej. Referuar pretencës së lexuar nga prokurori, Besnik Muçi, në çantën e viktimës është gjetur një letër, që sipas verifikimeve dhe krahasimeve të kryera me shkrimin e Suela Sulës, është e shkruar pikërisht prej saj. Në këtë letër, viktima shkruan për problemet që po kalonte, ndërsa nuk i ka munguar edhe optimizmi teksa është shprehur se pavarësisht të gjithave, ajo do t’i kalonte dhe situata do të zgjidhej. Tetë muaj më parë Sadedin Sula u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë, ndërsa çështja tashmë ndodhet në Apelin e Krimeve të Rënda.

Dosja

Më 18 prill 2016, rreth orës 12.30, në fshatin Melgushë, Njësia Administrative Bushat, Shkodër, në mjediset e brendshme të mobilierisë “Europa”, pikërisht në banjë, u gjend e vdekur bashkëpronarja Suela Sula. Viktima ishte shoqëruar në mëngjes në vendin e punës nga bashkëshorti i saj, i pandehuri Sadetin Sula, i cili më pas provohet se u kthye në qytetin e Shkodrës. Nga akti i ekspertimit mjekoligjor Nr.187, i kryer në orën 16.00 të datës 18.4.2016, mbi ekzaminimin e kufomës së viktimës Suela Sula, rezultoi se në trupin ne saj u konstatuan dëmtime që shkaktohen nga shtrëngimi i qafës me duar. Ekspertët mjekoligjorë konkluduan se vdekja e shtetases Suela Sula u shkaktua nga asfiksia mekanike nga shtrëngimi i qafës me duar dhe mjete të tjera. Krimi është kryer në harkun kohor 08.10-10.00 të datës 18.4.2016. Një vit më pas më 7 prill 2017, i pandehuri Sadetin Sula u akuzua për kryerjen e krimit të vrasjes me dashje, për shkak të marrëdhënieve familjare, për motive xhelozie, në dëm të bashkëshortes së tij viktimës Suela Sula, parashikuar nga neni 79/c i KP. Më 12.5.2017 çështja në ngarkim të tij u dërgua në gjyq dhe ndodhet në fazën e shqyrtimit gjyqësor të saj. Nga këqyrja e telefonit të viktimës u përftuan disa regjistrime audio, ku Sadetini bashkëbisedonte edhe me një person të quajtur Fatjon Karameshtna, me të cilin rezulton se kishte një raport të ngushtë dhe bisedojnë për raportet e të pandehurit me bashkëshorten dhe dyshimet e tij rreth saj. Sipas dosjes hetimore autori i vrasjes së Suela Sulës është Fatjon Karameshtna. Ai u zbulua me anën e një shisheje uji që e përdori me urdhër të prokurorit, u tentua të merrej material biologjik për të ndërtuar profilin gjenetik të AND-së së këtij shtetasi dhe për të kryer në vijim krahasimet e nevojshme. Ekspertimi biologjik i ADN-së u krye më 8 janar 2018. Ky profil gjenetik u krahasua profilin gjenetik të mbetjeve biologjike të marra nga thonjtë e dorës së djathtë të viktimës Suela Sula dhe ekspertët vërejtën përputhje të plotë. Më 19 janar 2018 ekspertët arritën në konkludimin se, profili gjenetik i përftuar nga materiali human në grykën e shishes e cila është përdorur nga shtetasi Fatjon Karameshtna, ekzaminuar me aktin Nr.141, datë 08.01.2018, është plotësisht i përfshirë në profilin miks të përftuar nga thonjtë e dorës së djathtë të kufomës së shtetases Suela Sula, ekzaminuar me aktin Nr.4619 datë 24.5.2016. Ky konkluzion provon se viktima është përpjekur t’i rezistojë tentativës së të dyshuarit Fatjon Karameshtna për ta mbytur dhe gjatë kontaktit fizik materiali biologjik i këtij të fundit ka mbetur i fiksuar në thonjtë e dorës së djathtë të viktimës. Në këto rrethana, ka të dhëna të mjaftueshme se ekzekutori material i krimit të vrasjes me mbytje të viktimës Suela Sula është i dyshuari Fatjon Karameshtna. Me bindjen se Fatjoni “kreu krimin në bashkëpunim dhe me porosi të të pandehurit Sadetin Fadil Sula” prokuroria kërkoi arrestimin e tij. Hetimet u kryen nga Henrik Ligori, i cili u largua disa muaj më parë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Elvis Myrta