Kur ka kaluar pak më shumë se 24 orë nga krimi i rëndë që tronditi zonën e Mirditës dhe mbarë opinionin publik, Fatmir Koleci vazhdon ende të jetë në kërkim nga policia. Për gjetjen dhe kapjen e tij janë angazhuar forcat RENEA si dhe FNSH Lezhë. Forcat e rendit kanë ngritur edhe dronin, ndërsa kanë vendosur shpërblim për këdo që jep informacion. Kjo është ngjarja e radhës tragjike, kur një grua vritet edhe pse kishte urdhër mbrojtje. Dronët nga ajri dhe forcat speciale nga toka vijojnë të gjurmojnë Fatmir Kolecin, 47-vjeçarin që mbrëmjen e së martës ekzekutoi ish-bashkëshorten dhe vëllanë e saj në Kodër Rrëshen të Mirditës. Esmeralda dhe Vladison Filopati, përkatësisht 36 dhe 34 vjeç, u vranë në derë të shtëpisë ku këtë të mërkurë janë hapur dyert e mortit. Siç tregojnë familjarët jashtë kamerave, burri me origjinë nga Zejmeni i Lezhës u kishte zënë pritë teksa po ktheheshin nga puna dhe i qëlloi menjëherë sapo i pa. 47-vjeçari dhe Esmeralda Filopati ishin prindër të tre fëmijëve, por ishin ndarë në vitin 2017, kur burri u dënua për dhunë në familje dhe armëmbajtje pa leje. Prej asaj kohe, gruaja kishte ndërprerë kontaktet me ish-bashkëshortin, kishte marrë urdhër mbrojtje dhe të drejtën për fëmijët, çka dyshohet se është edhe shkaku i konfliktit. Autori ka arritur të largohet nga vendi i ngjarjes, duke përfituar dhe nga errësira dhe terreni i pyllëzuar dhe është ende në arrati. Përpos efektivëve në terren, policia pret edhe ndihmën e qytetarëve për ta vënë në pranga, ndaj ka vënë në dispozicion 5 milionë lekë për këdo që do të japë informacion të saktë. Motër e vëlla u përcollën këtë të martë në banesën e fundit ndërsa krimi i dyfishtë solli reagime të forta. Ipeshkvi Dom Gjergj Meta në rrjetet sociale shkruante se “kaosi ka shpërfytyruar çdo kod të vjetër a të ri, kanunor apo kontinental, të shenjtë apo profan”. Duke iu referuar krimit, prifti katolik thotë se shoqëria ka rënë shumë poshtë dhe për këtë kanë të gjithë përgjegjësi. Në lidhje me ngjarjen e rëndë reagoi edhe kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, teksa ka kërkuar reagimin e shoqërisë thotë se Shqipëria ka nevojë për shtet serioz dhe dënime të ashpra kundër këtij fenomeni. Urdhri i mbrojtjes nuk mundi ta shpëtojë Esmeralda Filopatin dhe vëllanë e saj Vladisonin, nga ish-bashkëshorti Fatmir Koleci, i cili u mori jetën të dyve në oborrin e shtëpisë, në fshatin Kodër Rrëshen.

Zbardhet vendimi i dënimit të Fatmir Kolecit

Vrasja e Esmeralda Filopatit dhe vëllait të saj Vladison Filopati, nuk ka qenë një rrufe në qiell të hapur. Konflikti mes Esmeraldës dhe ish-bashkëshortit të saj kishte disa vite që kishte nisur. Sipas një vendimi nga Gjykata e Lezhës, Fatmir Koleci është dënuar në 15 janar të vitit 2018 me 15 muaj burg për dy vepra penale, “Dhunë në familje” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Në vendimin e gjykatës thuhet se, duke u referuar në deklarimet e të dëmtuarës Esmeralda Koleci (Filopati), provohet se marrëdhëniet bashkëshortore me të pandehurin Fatmir Koleci kanë pasur sherre dhe mosmarrëveshje dhe gruaja shpesh herë ka qenë pre e dhunës. Esmeralda kishte denoncuar dhe më parë bashkëshortin e saj, pasi ky i fundit e kërcënonte me fjalët: “Do të vras po njoftove Policinë…”, duke shoqëruar përdorimin e këtyre fjalëve me praninë e një arme zjarri të mbushur prej tij. Dhuna ka vijuar për disa kohë deri në datën 12.07.2017, ku Fatmiri ka nisur ta qëllojë në banesë Esmeraldën dhe kjo e fundit mundi të njoftonte babanë e saj, i cili më pas telefonoi në polici. Pas kësaj, i shpallur në kërkim nga Policia për vrasjen e dyfishtë ka shkuar në banjën e banesës dhe ka marrë një armë zjarri që e mbante pa leje dhe e ka vendosur mbi tavolinë duke i thënë: Të parën do të vras ty, pastaj do merrem me të tjerët. Por gjithçka ka përfunduar, pasi policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka bërë të mundur arrestimin e tij.