Kryeministri Edi Rama tha se opozita nuk po e lexon dot rezultatin e zgjedhjeve të 2017-ës, duke shkaktuar me sjelljen e saj një dëm të madh në imazhin e vendit. Por, theksoi Kryeministri në një studio televizive, 30 qershori është një shans i madh që opozita të nisë procesin e ripërtëritjes së madhe.

“Nuk do ketë shtyrje zgjedhjesh dhe as negocim me askënd. 30 qershori është historik jo për shkak se kush do dalë kryetar bashkie, por do vihet vija e kuqe që nuk mund të marrësh peng vendin, qeverinë, shtetin, meqenëse kërcënon me molotov e djegie mandatesh”, – theksoi Kryeministri Rama.

Ai iu referua një deklarate të përfaqësuesit të Departamentit amerikan të Shtetit, që vizitoi Tiranën pak kohë më parë, sipas të cilit nuk është detyra e qeverisë të fusë opozitën në zgjedhje. “Nuk ka negocim deri në 30 qershor”, – tha Rama.

I pyetur në lidhje me marrjen e pushtetit lokal, ndërkohë që Partia Socialiste është në qeverisje, Rama e cilësoi një moment kalimtar. Sipas tij, është fat që bashkitë do bien në duart e duhura dhe solli në vëmendje kontrastin epik midis Shkodrës të qeverisur 30 vjet nga të djathtët dhe Vlorës e ndryshimit të saj brenda katër viteve.

“Pluralizmi do marrë energji, se do detyrohet të transformohet opozita. Bashkitë nuk do i marrim me represion, pasi opozita ka ikur për shkak të frikës nga zgjedhjet dhe tmerrit nga Drejtësia”, – tha Rama.

“Nuk do zgjidhej problemi nëse shtyhet data e zgjedhjeve. Kjo do hapte kërkesa të tjera. Në protestë është një popull imagjinar, një populli i vogël i një partie politike në degradim. Ata nuk kanë për të penguar procesin zgjedhor, pasi do shohim pamjet e 30 qershorit nëse do ketë njerëz që pengojnë qendrat e votimit apo do ketë banda kriminale, njerëz të paguar që do jenë në grupe të vogla, edhe të dhunshme. Por ata do ftillohen që do gjejnë një bela që nuk e kanë parë edhe në ëndrrën më të keqe. Ligji është kaq i ashpër, për krime zgjedhore dhe kur të shkosh në burg, i kemi marrë masat që të jetë gjithçka e faktuar me pamje”, – tha Rama./atsh/